Në një studio të veri të Shqipërisë të themeluar prej vitit 1997 nga artisti Edmond Angoni, përgatiten çdo vit dhjetëra mijëra maska veneciane për sezonin e karnavaleve. Një staf prej 50 personash punojnë me duar rreth 30 000 maska në vit të cilat shpërndahen në të gjithë botën, shkruan agjencia franceze të lajmeve, AFP.
“Në fillim çdo (maskë) është një mister, ju duhet të jeni të durueshëm për ta bërë atë, por ju pritet të shihni produktin përfundimtar”, shpjegoi Nora Gjonaj, një artiste 41-vjeçare që punon në këtë fabrikë prej dy dekadash.
Ata përgatisin lloje të ndryshme maskash, nga ato të thjeshtat që shërbejnë vetëm për të mbuluar sytë e deri tek pjesët zbukuruese që shkojnë nga 20 deri në 1500 euro.
Shumica e tyre bëhen për karnavalet e Venecias, por këtë vit me anulimin e tyre pas përhapjes së koronavirusit, do të dërgohen në rreth 40 vende të tjera, përfshirë Francën, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë.
Kompania merr porosi gjatë gjithë vitit, për evente, por edhe prodhime kinematografike. Maskat e prodhuara nga kjo studio u veshën edhe nga yjet e hollivudit Nicole Kidman dhe Tom Cruise në filmin Stanley Kubrick të vitit 1999 “Eyes Wide Shut”.
Para themelimit të studios Edmond Angoni sot 64-vjeçar, punonte dhe jetonte në Itali prej vitesh. Artistët që punojnë në studion e tij ndjekin një seri hapash të përpiktë, ndërsa maskat i trajtojnë si vepra arti
“Çdo maskë ka bukurinë, magjinë dhe misterin e vet. Ne i kushtojmë shumë vëmendje anës artistike të maskave, duke i trajtuar ato me pasion dhe dashuri si vepra arti”, tha ai në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve.