Aktualitet “Maskat e skaduara”, PD kallëzon penalisht Ministren e Shëndetësisë

“Maskat e skaduara”, PD kallëzon penalisht Ministren e Shëndetësisë

Partia Demokratike ka kallëzuar Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe zyrtarët përgjegjës për shpërndarjen tek personeli shëndetësor të 1.2 milionë maskave të skaduara.

Sipas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike, Ogerta Manastirliu kallëzohet për 5 vepra penale, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

“Ky është një krim i rëndë shtetëror me përgjegjëse direkte ministren e Shëndetësisë, e cila është përfshirë në një operacion manipulimi për të marrë mbetjet spitalore që duhej të asgjësoheshin dhe për t’ia vënë në dispozicion stafit mjekësor”, thuhet në kallëzimin e 10 Marsit të Partisë Demokratike, të firmosur nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

Partia Demokratike denoncoi një ditë më parë se qeveria shpërndau 1.2 milionë maska të skaduara për personelin shëndetësor.