Sport Massimiliano Allegri rikthehet trajner i Juventusit

Massimiliano Allegri rikthehet trajner i Juventusit

Massimiliano Allegri zgjedh Juventusin. Trajneri nga Livorno kthehet tek skuadra nga e cila u largua dy vite më parë. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” dhe 53-vjeçari mëngjesin e kësaj të enjteje kanë përcaktuar detajet e fundit të një kontrate që do të jetë tre ose katëvjeçare.

Andrea Pirlo shkarkohet pas vetëm një sezoni, duke u ngushëlluar me suksesin në Kupën e Italisë dhe sigurimin e pjesëmarrjes në Champions falë gafës së Napolit përballë Veronës.

Interi u përpoq deri në momentin e fundit duke luajtur kartën “Marotta” për të bindur Allegrin, dhe Reali i Madridit, që shkarkuan Zidane, duhet të gjejnë alternativa të tjera për stolin. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi marrëveshjes nga klubi bardhezi, që sot organizon mbledhjen e aksionarëve. Allegri duhet të nisë që tani planifikimin e merkatos.

Presidenti Andrea Agnelli vendos ta rinisë nga arkitekti i 5 titujve radhazi të Serisë A dhe 2 finaleve të Ligës së Kampionëve, fatkeqësisht të humbura. Marrëdhënia mes të dyve është e shkëlqyeshme dhe ka mbetur e tillë pavarësisht divorcit në vitin 2019. Nëse numri 1 i Juventusit po synon zgjidhjen më të sigurt të mundshme, trajneri nga Livorno dëshiron të jetë përsëri protagonist pas dy sezonesh si spektator. Max është i intriguar nga projekti dhe gjithashtu ka një marrëdhënie të shkëlqyeshme me Cherubini, pasardhësi i Paraticit.