Serbët e Bosnjes nuk do të shkëputen, dhe as nuk do të ketë luftë për Bosnjë-Hercegovinën. Megjithatë BE-ja duhet më në fund të marrë frenat në dorë për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor.
Norbert Mappes-Niediek – DW
Pas gjashtë muajsh Republika Srpska në Bosnje do të shkëputet prej institucioneve të shtetit të përbashkët, madje edhe nga ushtria. Kështu ka vendosur parlamenti në Banja Lukë. Që pas këtij vendimi mbizotëron atmosferë alarmi. A do ta verë në jetë Millorad Dodik, burri i fortë i serbëve të Bosnjes, këtë vendim? Cili është qëllimi? A do të nisë një përshkallëzim i situatës? Do të ketë sërish luftë?
Të gjitha këto pyetje shtrohen gabim. Plane, objektiva, arritje, madje edhe valët e emocioneve janë të huaja për modelin politik që është zhvilluar këtu gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Partitë ecin me hapa tresh para e pas dhe distanca mes tyre mbetet gjithmonë konstante. Ky është parimi i matjes së forcave në tërheqjen e litarit. Tërhiq me këmbëngulje duke mos lëshuar asnjë centimetër, e duke i ngulur këmbët fort në tokë: Taktikat moderne bazë të këtij lloj sporti, që e demonstron si model politika këtu, janë evidente.
Kush i zotëron këto teknika, është i armatosur për dhe në politikën për Bosnjen. Megjithatë në dallim nga sporti, në politikën boshnjake nuk ka një përkufizim, që të tregojë se kur ndonjeri ka fituar. Gara thjesht vazhdon.
Ekipet në tërheqjen e litarit krijohen sipas një parimi të qartë. Përpara, sy ndër sy me kundërshtarin, qëndron më i dobëti, por që duhet të demonstrojë forcën. Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës treshe në shtetin boshnjak, është personi ideal për këtë pozicion.
Si homologu i tij në anën tjetër në krye të vijës së frontit qëndron përfaqësuesi i ri i lartë në Sarajevë, gjermani Christian Schmidt. Ky është pa përvojë, nuk e njeh vendin dhe nuk ka asnjë mbështetje, as prej Peace Implementation Council fromalisht përgjegjës për Bosnjë-Hercegovinën, as në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e as në diplomacinë e vendit të vet, që pas ndryshimit të pushtetit në Berlin po nis të formatohet sërish.
Truke në tërheqjen e litarit pothuajse nuk ka fare, vetëm një: nëse traineri dikton humbje përqendrimi tek ekipi kundërshtar, litari duhet tërhequr rrufeshëm me të gjithë forcën. Nëse pala tjetër dikur do ta kishte shansin që me një tërheqje konstante të lironte një metër terren, atëherë ky është çasti i duhur.
Edhe në pozicionin tjetër s’ka përse t’i druhet krahasimit partia serbo-boshnjake. Direkt pas Dodikut është pozicionuar Aleksandar Vuçiçi, presidenti i Serbisë. Pa mbështetjen e tij serbët e Bosnjes as që mund të guxonin ta ndërmerrnin këtë nismë. Kundërshtari direkt i Vuçiçit është Komisioni Europian, i çorientuar në çështjet e Ballkanit mes ecejakeve të zgjidhjeve kontradiktore që sugjerohen nga Berlini, Parisi e Budapesti.
Personi më i fortë, “pra figura kyç”, qëndron sa të mundet në fund të një gare të tillë. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin vetëm mund të fitojë prej zvarritjeve për Bosnjen: Ai jo vetëm që mund ta sorollasë BE-në në Ballkan, por edhe mund ta dobësojë direkt atë. Ndryshe nga rasti i Ukrainës për shkak të Bosnjes atij nuk i duhet të druhet prej masave ndëshkuese si sanksionet, por vetëm, ashtu në rastin e Bjellorusisë, ai mund të pësojë një humbje prestigji.
Ndërsa figura tjetër kyç në anën tjetër, presidenti Joe Biden, nuk ka ndonjë piketë. SHBA-ja përqendrohet tek Kina e tani nga halli edhe tek Ukraina. Pas turpit në Afganistan vështirë ta besojë ndokush që SHBA-ja të angazhojë potencialin e vet në rajone të tjera botës.
Gjashtë muaj ka tani kohë Perëndimi, që të mbledhë veten dhe të krijojë një kundërpeshë të fuqishme. Por vështirë që rimbledhja e forcave të arrijë deri në Uashington. Të paktën deri atëherë BE-ja duhet të rimëkëmbet. Në aspektin ligjor pozicioni i serbëve të Bosnjes është i pabazë: “Miratimi” për institucionet e përbashkëta të Bosnjes, prej nga ato duan tani “të tërhiqen”, nuk është një firmë e hedhur në një marrëveshje që mund të anulohet. Miratimi i parlamentit serbo-boshnjak më shumë rezulton nga normat e detyrueshme kushtetuese.
Nëse shkelen këto norma kushtetuese, duhet të ketë sanskione. Instrumentat për këtë janë mëse të mjaftueshme. Ato mund të nisin që me tërheqjen e Bankës Europiane të Investimeve deri tek përjashtimi i bankave serbo-boshnjake nga qarkullimi monetar ndërkombëtar.
Edhe Beogradi mund të vihet nën presion. Serbia jo vetëm që merr ndihma nga BE-ja për realizimin e reformave, por edhe pjesa më e madhe e investitorëve të saj janë në Europë, e jo në Kinë e as në Rusi. Në aspektin politik presidenti Vuçiç luhatet me finokllëk mes Brukselit dhe Moskës. Nëse BE-ja i tregon atij kufirin, atij nuk i mbetet gjë tjetër veçse të futet në orbitën ruse.
Por ky nuk është një objektiv i bukur për një kryetar ambicioz shteti: Ai do të humbiste hapësirën komode të veprimit, duke u detyruar të marrë urdhëra e të shohë se si oligarkët e afërt me Kremlinin do të depërtonin në bazën e tij të pushtetit. Vetëm devijimi në orbitën e Putinit është një horror për shoqërinë serbe, e cila asnjëherë nuk ka qenë aq rusofile, sa përpiqet ta paraqesë atë propaganda e Vuçiçit. Edhe vet Sllobodan Millosheviqi ishte në prag të rrëzimit, kur donte ta fuste vendin e tij në “Unionin Ekonomik Euroaziatik” të Putinit.
Pra Europa ende e mban fort litarin në dorë. Tani ajo vetëm duhet ta tërheqë atë.