Një ish-maxhordom në Shtëpinë e Bardhë, i cili gjatë karrierës së tij i ka shërbyer 11 presidentëve amerikanë, ka humbur jetën në moshën 91-vjeçare, për shkak të koronavirusit, raportojnë mediat amerikane.
Wilson Roosevelt Jerman, ishte një ndër punonjësit që kanë kaluar më shumë vite në Shtëpinë e Bardhë, prej vitit 1957 ku vendi drejtohej nga Dwight D. Eisenhower. Atë kohë ishte një shërbyes i thjeshtë, por presidenti Kennedy do ta promovonte në maxhordom, tha për mediat mbesa e tij Jamila Garrett. “Kishte krijuar një marrëdhënie shumë të mirë me zonjën e parë Jackie”.
Ajo shtoi se gjyshi i saj kishte punuar shumë mirë edhe pranë familjes Bush, në vitin 1989, duke ndihmuar fëmijët e tij, njëri prej të cilëve do të bëhej gjithashtu president, të përshtateshin me ambientin e ri. Ish-presidenti George W. Bush dhe ish-zonja e Parë, Laura, shprehën ngushëllimet e tyre për Jerman, sikurse edhe çifti Obama, të cilët ishin të fundit që ai u shërbeu.
Jerman u largua përfundimisht nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2012. Në një intervistë për “Vanity Fair” në vitin 1997, pati deklaruar se sekreti i jetëgjatësisë në atë punë ishte se dinte të mbante gojën mbyllur jashtë saj.