“Pse nuk jep dorëheqjen? Kongresi Kombëtar i konservatorëve nuk të dëshiron më, ne nuk të duam më!” Ishte ky kundërshtimi ndaj kryeministres britanike, Theresa May, një ditë pas zgjedhjeve të pjesshme lokale në vend, ku rezultatet treguan se votuesit dënuan jo vetëm konservatorët, por edhe laburistët dhe kjo për shkak të gjendjes së status-quo-së për çështjen Brexit.
May gjendej dje në Uells për një fjalim në kongresin e konservatorëve.
Por, sapo filloi fjalimin, pasi kishte falënderuar pjesëmarrësit për ftesë, një anëtar i konservatorëve lokalë, Stuart Davies, u ngrit në këmbë dhe filloi të bërtiste. May buzëqeshi, ndërkohë që nga salla një grup i vogël njerëzish kërkoi largimin e Davies.
Davies, 71 vjeç, u largua nga një punonjës i sigurisë dhe më pas dha një intervistë për gazetarët duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministres.
“Jam i irrituar për atë që i bëri partisë sonë. Për ta thënë pa dorashka, ajo po gënjen”, tha Davies duke iu referuar Brexit.
“Kur vjen data për të vendosur, ajo ka bërë gjithmonë zgjedhjen e gabuar dhe këtë e ka bërë përherë”, theksoi ai.
Nga ana e saj, May pranoi se zgjedhjet kishin qenë të vështira, por theksoi se mesazhi që i jepte parlamentit ishte realizimi i Brexit.