Politika Mazhoranca rrëzon sërish kërkesën e PD për interpelancë me Ramën

Mazhoranca rrëzon sërish kërkesën e PD për interpelancë me Ramën

Mazhoranca ka rrëzuar në seancën e kësaj të enjteje interpelancën e kërkuar nga opozita me kryeministrin Edi Rama. Pas këtij vendimi, i ashpër ka qenë kreut të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, sipas së cilit kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po shpërdoron detyrën e saj.

“Po ta shikoni gjatë gjithë kësaj periudhe ju keni kthyer një përjashtim në rregull në shkelje të kushtetutës, sa herë deputetët e Kuvendit, për shkak të vendimit personal të një frikacaku që flet vetëm me veten, por nuk ka guximin të vijë të përballet me opozitën, ju keni kthyer në rregull që refuzoni çdo kërkesë për interpelancë të deputetëve të opozitës ndaj kryeministrit. Kjo është një shkelje flagrante. Ju zonja kryetare jeni atje për të respektuar kushtetutën dhe mbi të gjitha  jo për t’i shërbyer kryeministrit, por si garante për respektimin e të drejtave të deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi të përballet me kryeministrin Edi Rama në Kuvend sa i përket çështjes së emërimit të një këshilltari të tij të jashtëm për çështjet e sigurisë.

Gazment Bardhi, pas mbledhjes së grupit sqaroi dje se deputetët kanë firmosur një kërkesë për interpelancë urgjence dhe do t’i kërkojë llogari Ramës për emërimin e ish-gjeneralit të shërbimeve sekrete rumune Florian Koldea.