Punonjësit e 61 bashkive do të përfitojnë rritje të konsiderueshme pagash. Në një takim me kryetarët e bashkive të vendit. Ministri i shtetit për Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi se kjo do të zbusë edhe mungesën e stafeve në këto institucione. Pasi punonjësit e të njëjtit profesion, do të paguhen njësoj në të gjitha bashkitë ku punojnë.
Arbjan Mazniku: Sugjerimi ynë është që të mos ketë më diferenca të nivelit të të pagës nga bashkia në bashki. Bashkitë të kenë të gjithë një nivel page. E vetmja diferencë është që disa bashki të mos kenë disa klasa. Ne besojmë që me këto nivele jemi konkurrues edhe me tregun privat.
Sa i përket ristrukturimit, Mazniku u tha kryetarëve të bashkive se do të duhet që punët të ndahen në njësi që ndërmarrin politika, të tjera që zbatojnë politika dhe të tjera që kryejnë shërbime.
Arbjan Mazniku: Aparati është ajo pjesë e strukturës suaj e cila duhet të merret në mënyrë ekskluziveve me politikbërjen, planifikimin, monitorimin dhe elementet rregullatorë. Agjencia e Funksioneve, në këtë strukturë vendosen të gjitha ato funksione të cilat bashkia ka detyrë ligjore t’i bëjë. Grupimi i tretë është agjencia e shërbimeve. Këtu kemi të bëjmë me ato shërbime të cilat bashkitë zgjedhin disa here t’i ofrojnë vetë, disa here t’ia kontraktojnë ofrimin e këtij shërbimi një pale të tretë.
Punonjësit e bashkive do të përfitojnë një rritje page që varion nga 40 përqind deri në dyfish të pagës për disa profesione specifike dhe do të hyjë në fuqi këtë verë.