Liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen ditën e sotme në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në një vend jo anëtar.
Edhe këtë herë, në fokus do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Edi Rama, si mikpritës, ka zgjedhur ambientet e reja të Piramidës për të mbajtur këtë takim në kryeqytetin shqiptar.
Në orën 11:00 do të nisë mbërritja e liderëve ndërsa punimet e këtij samiti do të hapen 30 minuta më vonë nga fjala e kryeministri Rama, Kancelarit Scholz, Presidentit të KE Ursula Von der Leyen dhe kreu i këshillit Europian Charles Michel. Do të ketë dy sesione të ndara, të cilat lidhet me integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt tregut të unik të BE-së çka sipas Brukselit do të bëjë të mundur edhe për integrimin ekonomik me faza.
Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale. Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen.
Sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nga kriminelë serbë të armatosur pritet të jetë temë e tryezës së procesit të Berlinit. Për këtë do të mendojë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me Ana Brnabic dhe jo Presidentin Aleksandër Vuçiç. Ashtu si në ministerialin e shefave të diplomacisë edhe në takimin e liderëve, Prishtina do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, si një kusht i vendosur për rinisjen e dialogut.
Samiti i Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Tiranë është i dhjeti në serinë e mbledhjeve të mbajtura në kuadër të tij. Për herë të parë ai do të zhvillohet në një shtet jo-anëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Ëalter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë).
Për garantimin e rendit dhe sigurisë së personaliteteve europiane që do të qëndrojnë në Tiranë për llogari të samitit janë angazhuar 1600 efektivë të policisë dhe 400 të tjerë të Gardës së Republikës.
Si pjesë të masave, përpos pengesave, policia e shtetit ka planifikuar rrugëkalime të shërbimeve të emergjencës.