Politika “Mbajtja e 3 policëve lajthitje shtetërore”, Rama: Shqipëria marrëdhënie në nivelin zero...

“Mbajtja e 3 policëve lajthitje shtetërore”, Rama: Shqipëria marrëdhënie në nivelin zero me Serbinë deri në lirimin e policëve

Kryeministri Edi Rama thotë se nëse nuk lirohen 3 efektivët e policisë së Kosovës, nuk do të këtë marrëdhënie Shqipëri-Serbi.

Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, kryeministri Rama thotë se marrëdhëniet do të jenë në nivelin zero mes Shqipërisë dhe Serbisë, çka nënkupton komunikim vetëm duke i bërë thirrje Serbisë “lironi 3 policët”.

Kryeministri Rama shton se megjithatë, tregtia mes dy vendeve do të vazhdojë.

Pyetje: Çfarë nënkuptoni kur thoni se do të ngrini marrëdhëniet me Serbinë? Apo do të ngrihen marrëdhëniet diplomatike, ekonomike?

Edi Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për prishje marrëdhëniesh diplomatike, por bëhet fjalë marrëdhënie të cilat kthehen në një pikë zero, që do të thotë se nuk ka marrëdhënie. Natyrisht që ne nuk do të ndalojmë tregtinë, ne nuk do të ndalojmë asgjë, por ama nuk marrëdhënie, nuk ka komunikim. Çdo komunikim në çdo nivel me Serbinë do të jetë: Lironi 3 policët, deri kur ato të lirohen. Shpresoj të lirohen dje, por nëse nuk do të lirohen 1 vit, larg qoftë 2, 3 apo 5, vetëm kjo do të jetë marrëdhënia: Lironi ato të tre, nuk kemi asnjë fjalë tjetër. Por nuk kuptoj se do të ndalohen kamionët e këto se këto punët e kamionëve dhe targave i ka qejf Albini se unë nuk merrem me to sepse unë nuk di që t’i jap kamionit.

Kryeministri shqiptar thotë se nuk mund të ketë asnjë plan për de-eskalimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, pa liruar më parë policët.

“Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është pajustifikueshme dhe e papranueshme. Ndërsa përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të 3 policëve të huaj për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minirotetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese sepse shtete demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara.

Nëse Serbia ka pretendime për arrestime arbitrare në veri, këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng 3 policë shqiptarë në Serbi, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, EULEX-i, KFOR-in dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia e cila duhet normalizuar, që është marrëveshja që duhet finalizuar.

Unë sot e përsëris apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte, pa nëse, të tre efektivëve të Policisë së Kosovës jo vetëm sepse kjo është shkelje e të drejtave të njeriut por sepse pa u kthyer në shtëpi ata 3 burra nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e de-eskalimit”, tha ndër të tjera Rama.