Katër shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe një tjetër me banim në Tiranë janë arrestuar nga policia greke dhe ajo shqiptare. 5 shqiptarët ishin përfshirë në pengmarrjen e një bashkëkombasi të tyre, të cilit i kërkonin 10 mijë euro për ta liruar.
Policia e Tiranës ka marr informacionin se në një fshat të Korinthos, Greqi, disa shtetas shqiptarë për motive të dobëta kishin marrë peng një shtetas nga Tirana dhe i kërkonin 10.000 euro për ta lënë të lirë.
Pas një hetimi disaditor duke përdorur metodat speciale të hetimit, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Policinë greke, me ndërmjetësimin e Interpol Tirana, finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar “Korinthos”.
Policia e Tiranës, falë informacionit të grumbulluar për vendndodhjen e saktë të autorëve dhe vendit ku mbahej peng shtetasi J.T., i ka dhënë nëpërmjet Interpol Tirana, Policisë greke informacion të saktë në kohë reale mbi vendndodhjen (adresën e banimit) të personit të marrë peng dhe pengmarrësve.
Policia greke mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Xh.N., 49 vjeç, banues në Tiranë.
H.M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë.
B.M., 41 vjeç, banues në Tiranë.
M.M., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë është bërë i mundur lirimi i pengut, shtetasi J. T., banues në Tiranë.
Po në vijim të operacionit Policia e Tiranës bëri kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
L.P., 24 vjeç, banues në Tiranë, (bashkëpunëtor)
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë vazhdon punën intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet do i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë“ e kryer në bashkëpunim.