PSG në gjurmët e Ronaldos. Temperatura rreth fenomenit portugez po rritet. Ky duket se është vetëm fillimi i një vere që premton të jetë “piroteknike”. Ditën kur Max Allegri kthehej në “Continassa” për të filluar aventurën e tij të dytë bardhezi, zërat se Cristiano dëshiron të drejtohet drejt Kullës Eiffel, shtohen.
Arsyeja qëndron gjithashtu në sfidën që “Los Blancos” kanë nisur në drejtim të kryeqytetit francez për Mbappé. Ylli i parizienëve është objektivi kryesor i Florentino Perez, i cili do të preferonte të investonte shumë tek ai sesa te kthente Ronaldon (edhe pse tani, me Ancelotti në stol, mos thuaj kurrë…) Dhe kështu, Kylian, duke e ndjerë mundësinë, nuk i është nënshtruar ende presionit të PSG për rinovimin e kontratës, që i skadon më 2022.
Është e pamundur të mendosh se klubi parizien do të jetë në gjendje ta humbasë fenomenin e ri falas verën e ardhshme. Ose rinovim, ose lamtumirë këtë vit. Dhe Reali është gati të zhytet në “ankand”. Ikja e 22-vjeçarit do të hapte një boshllëk në sulmin e PSG.
Ilaçi më i mirë do të ishte goditja me Ronaldon, e cila do të kishte jo vetëm një rëndësi teknike, por edhe në marketing. Sigurisht, dyshja CR7-Neymar do të ishte unike. Vetë braziliani, kohët e fundit dha një mbështetje të mirë në favor të portugezit: “Unë dua të luaj me Ronaldon. Tashmë kam luajtur me lojtarë të shkëlqyeshëm si Messi dhe Mbappé, por ende nuk kam luajtur së bashku me Cristiano”.
Ronaldo mund të ndiqte një titull tjetër në ligat më të mira europiane, pasi ka fituar tashmë Premier League, La Liga dhe Serie A. Gjithashtu, joshet nga ëndrra e Ligës së Kampionëve, që PSG vetëm e ka “prekur” deri më tani…