Kylian Mbappe zyrtarizon largimin nga PSG. Sulmuesi francez do ta mbyllë me kampionët e Francës pas shtatë sezoneve në “Parc des Princes”, stadium ku të dielën do të zhvillojë takimin e fundit me fanellën e PSG.
Ylli francez zgjodhi rrjetet sociale për të komunikuar largimin me fansat. Dhe për t’i falënderuar të gjithë ata me të cilët ndau eksperiencën 7-vjeçare te klubi i njohur francez.
Mesazhi i Kylian Mbappe:
“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam Kylian dhe dua të flas me ju. Ua kam thënë gjithmonë se do të flas me ju kur të vijë koha. Do të doja të njoftoja se është viti im i fundit te Paris Saint Germain. Nuk do të rinovoj kontratën, aventura ime do të përfundojë brenda pak javësh.
Unë do të luaj ndeshjen time të fundit në “Parc des Princes” të dielën, kam shumë emocione. Kam kaluar shumë vite dhe kam pasur nderin e madh të jem pjesë e klubit më të madh francez. Dhe njërit prej më të mëdhenjve në botë, që më ka dhënë mundësinë të mbërrij deri këtu.
Të kem eksperiencën e parë në një klub me shumë presion, të rritem si futbollist duke qëndruar në krah të disa prej lojtarëve më të mirë. Me gjithë lavdinë dhe gabimet që kam bërë, unë dua të falënderoj të gjithë ata që kam pasur dhe kam shokë skuadre.
Të gjithë trajnerët, duke nisur nga Unai Emery, Thomas Tuchel, Mauricio Pochettino, Christophe Galtier e Luis Enrique, drejtorët sportivë Leonardo e Luis Ocampos, dhe të gjithë punonjësit e klubit, që askush nuk i sheh apo njeh, por që më kanë qëndruar pranë gjatë kësaj eksperience.
Është shumë e vështirë për mua të njoftoj largimin nga klubi, largimin nga vendi im, nga Ligue 1. E kam menduar gjatë, por e ndiej se më duhet një sfidë e re. Ata që dua t’i falënderoj mbi të gjithë, janë tifozët.
E di që unë nuk jam futbollisti më përfaqësues, por nuk do t’ia kisha dalë pa mbështetjen tuaj gjatë këtyre 7 viteve. Asnjëherë nuk kam dashur t’u tradhtoj në fushë, gjithmonë kam provuar të bëj më të mirën për të qenë efektiv.
PSG është një klub që nuk lë askënd mënjanë. Mund ta duam apo urrejmë, unë zgjodha ta doja. Duke veshur fanellën e saj për 7 sezone, natyrisht me uljet dhe ngritjet e veta.
Sigurisht që nuk pendohem për asnjë moment që firmosa me këtë klub prestigjioz. Është një skuadër që do ta mbaj në memorien time gjatë gjithë jetës. Do t’u tregoj të gjithëve me krenari: pata mundësinë të luaj me PSG-në.
Nuk do të jem më futbollist i skuadrës, por do të vazhdoj ta ndjek në çdo ndeshje. Pasi PSG do të mbajë gjithmonë zgjuar interesin tim për ta parë dhe për t’u informuar. Isha unë, me defektet dhe cilësitë e mia, por mund t’ju them se jam përpjekur të tregoj versionin tim më të mirë gjatë këtyre 7 viteve.
Dua t’ju falënderoj edhe njëherë, sepse pa ju nuk do të mund të kisha përjetuar këtë eksperiencë fantastike dhe gjithë këto emocione. Mirënjohës përjetë ndaj jush. Faleminderit të gjithëve. Shpresoj ta mbyllim këtë vit me një tjetër trofe. Do të mbeteni në zemrën time përgjithmonë. Këtu është Paris! Mirupafshim“.
25-vjeçari fitoi 14 trofe me PSG, por nuk arriti të sillte Championsin për herë të parë në kryeqytetin francez. Trofe që do ta tentojë në Madrid, aty ku me gjasë do ta ketë më të lehtë të mbërrijë te suksesi final.
Mbappe ka prej kohësh marrëveshje me Realin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i kalimit në “Santiago Bernabeu”.