Do të duhet të pritet fundi i merkatos verore, më 31 gusht deri më 1 shtator, për të parë nëse do të ndodhë pikërisht kështu, por në Paris janë të sigurt, Kylian Mbappe nuk lëviz nga PSG këtë vit.
Kështu raporton e përditshmja franceze “Le Parisien”, e cila shkruan se vendimin për të qëndruar në kryeqytet, sulmuesi francez ia ka komunikuar edhe presidentit të klubit, Nasser Al-Khelaifi, të martën e kaluar, gjatë një takimi kokë më kokë në grumbullimin e skuadrës para nisjes së sezonit të ri.
Pavarësisht tundimit për të luajtur në “Stantiago Bernabeu” me fanellën e bardhë, sipas medias franceze të paktën, Mbappe nuk do të jetë lojtar i Real Madrid këtë sezon.
Megjithatë, sipas një tjetër gazete franceze, “Le Monde”, kampioni i botës nuk ka pranuar të rinovojë me PSG kontratën që i skadon në fund të sezonit, duke refuzuar edhe një rrogë prej gati 200 milionë eurosh që do të kishte përfituar nëse do të kishte thënë “po”.
Kjo lë derën e hapur për një transferim në Madrid vitin e ardhshëm, çka do të ishte gjithsesi një goditje e madhe nga ana e Realit, pasi do të merrte atë që vlerësohet si lojtari më i mirë në botë, pa paguar asnjë cent.