Lojtarët më të çmuar në treg, turpërohet Real Madridi. CR7 dhe Neymar zhvlerësohen në merkato. Seria A përfaqësohet vetëm me De Ligt të Juventusit
Observatori Ndërkombëtar i Futbollit (CIES) ka realizuar një studim të vlerës së tregut të futbollistëve në pesë ligat e mëdha europiane, duke përdorur algoritmin e tij të zakonshëm. Ai përfshin njëqind më të mirët dhe për këtë, klubi në të cilin luajnë, mosha, rekordet e tyre në shënimin e golave dhe një mori parametrash të tjerë, kanë peshë kryesore në vlerësim.
Kjo mënyrë synon përshtatjen sa më mirë të jetë e mundur me realitetin. Renditja drejtohet nga Kylian Mbappé, një nga të paktët, çmimi i të cilit nuk është tkurrur nga pandemia e koronavirusit dhe kriza përkatëse ekonomike. Në moshën 21 vjeç, lojtari i PSG dhe kampioni i Botës me Francën është “perla” më e lakmuar në botën e futbollit. Të gjithë ëndërrojnë ta marrin sulmuesin francez, por e vërteta është se kanë fare pak mundësi. Vlera e tij llogaritet 259.2 milionë euro në këtë studim të CIES.
Vendi i dytë i takon Raheem Sterling (Manchester City), me 194.7 milionë euro. Podiumi plotësohet nga Jadon Sancho (Borussia Dortmund), me 179.1 milionë euro. Pastaj vijnë të tjerë xhevahirë nga Premier League, si Trent Alexander-Arnold (Liverpool), mbrojtësi më i vlerësuar në listë, me 171.1 milionë euro, dhe Marcus Rashford (Manchester United), që vlerësohet 152.3 milionë euro.
Nga Spanja, vetëm Barcelona dhe Atlético Madridi përfaqësohen me lojtarë në “top 25” e kësaj renditjeje. Skuadra katalanase ka Antoine Griezmann në vendin e tetë (136.3 milionë euro. Përveç francezit, Frenkie de Jong është i 20-ti në klasifikim (102.1 milionë euro), ndërsa Leo Messi dy vende më poshtë (100.1 milionë). Argjentinasi është i fundit, që kapërcen 100 milionë euro në treg.
Sa për Atlético Madrid, João Félix është i 14-ti në renditje (107.9 milionë euro, ndërsa Saúl Ñíguez mbyll “top-25” me 97.7 milionë euro. Do të ishte e nevojshme të zbrisni në pozicionin numër 38 për të gjetur një përfaqësues të Real Madridit, i cili në këtë rast është Rodrygo Goes (81.4 milionë euro).
Ndërsa Italia përfaqësohet në “top 25” vetëm me De Ligt të Juventusit që vlerësohet 104,7 milionë euro.
Nga ana tjetër, vlera e Cristiano Ronaldos zvogëlohet gjithnjë e më shumë, me kalimin e moshës. 35-vjeçari kushton 62.8 milionë euro në treg, aktualisht, sipas CIES. Megjithëse rezultati i tij si golashënues nuk ka pësuar tkurrje, çmimi i portugezit të Juventusit është zhvlerësuar. Neymar (PSG), ndërkohë, është në vendin e 37-të të listës, pavarësisht se ka ende shumë vite futboll përpara. Vlerësimi aktual i brazilianit është 87.2 milionë euro.