Sport Mbappe tani e pranon: Vendimin për t’u largua ia bëra të ditur...

Mbappe tani e pranon: Vendimin për t’u largua ia bëra të ditur PSG-së që në korrik

Ndër “telenovelat” e shumta, ishte njëra që ndezi ditët e fundit të merkatos së verës në futboll. Real Madridi bëri gjithçka për ta rrëmbyer Kylian Mbapé nga PSG, që në fund vendosi të refuzojë ofertën e pasur të spanjollëve, pavarësisht kontratës së 22-vjeçarit që skadon në më pak se një vit.

Me siguri, “Los Blancos” do të kthehen në veprim në janar, ndoshta për ta blerë lojtarin pa asnjë kosto në funksion të verës. Në një intervistë për “RMC Sport”, Mbappe sqaroi gjithçka. Ylli francez shpjegoi evolucionin e historisë që e shihte atë si protagonist, duke e përjashtuar veten nga çdo përgjegjësi:

“Unë kërkova të largohesha sepse, që nga momenti që nuk doja të rinovoja, doja që klubi të mblidhte disa para për një zëvendësues cilësor. Është një klub që më ka dhënë shumë në këto katër vite, kam qenë i lumtur dhe jam akoma. E njoftova vendimin tim paraprakisht vetëm për të lejuar që PSG të ishte në gjendje të shikonte përreth. Doja që të gjithë të dilnin fitues, që të gjithë të merrnin diçka nga një marrëveshje e mirë. Në fund qëndrova, sepse klubi donte këtë”.

Asnjë mosmarrëveshje me Leonardo dhe një sqarim: kërkesa e tij për ta shitur iu zyrtarizua klubit në korrik dhe jo në ditët e fundit të gushtit, kur oferta e Real Madridit tërhoqi të gjithë vëmendjen e mediave:

“Njerëzit thonë se unë kam refuzuar gjashtë ose shtatë propozime për rinovimin dhe se nuk dua të flas më me Leonardo. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Nuk më takon mua të gjykoj, por pozicioni im ka qenë gjithmonë i qartë: Doja të largohesha dhe e bëra të qartë këtë gjë shumë shpejt. Më shqetëson fakti që njerëzit thonë se kam pritur javën e fundit të gushtit, më thirrën edhe “hajdut”… Vendimin tim e kam shpallur në fund të korrikut”.