U transferua në merkaton e verës për 180 milionë euro nga Monaco te PSG, ku është duke shkëlqyer së bashku me Neymar e Cavani.
Por Kylian Mbappe zbulon një prapaskenë shumë të rëndësishme të merkatos, ku në një intervistë ka thënë se ka refuzuar një ofertë të majme nga Reali i Madridit.
“PSG është skuadra e qytetit tim, ndërsa Neymar vlen po aq sa Cristiano Ronaldo dhe unë dëshiroja të luaja në një ekip me brazilianin”, deklaroi Mbappe.
Shfaqjet mbresëlënëse të 19-vjeçarit për Monakon, sezonin e kaluar, dhe PSG-në në këtë sezon, e kanë parë atë si një pasardhës të mundshëm të yllit të Real Madridit, Ronaldo, si një nga yjet më të mëdhenj të botës.
Në vend të kësaj, të dy do të përplasen “kokë më kokë” në raundin e radhës të Ligës së Kampionëve, kur PSG-ja do të ndeshet me Real Madridin. Dhe Mbappe po shkon me synimin për ta mposhtur portugezin.
“Ai është një hero nga fëmijëria ime dhe ishte e mahnitshme ta takoja kur vizitova Valdebebas, – tha 19-vjeçari për “Marca”. – Por, unë jam një person shumë konkurrues dhe gjithçka që dua të bëj është të fitoj, të fitoj, të fitoj. Pra, nuk ka rëndësi se kush është para nesh, ne duam të fitojmë. E admirova Ronaldon kur isha më i ri, por tani kjo ka përfunduar. Tani shkoj në “Bernabeu” për të luajtur dhe për të fituar ndaj ish-idhullit tim. Nga dikush që ka fituar pesë herë “Topin e Artë” ju mund të mësoni shumë. Ai është një lojtar i madh, por Neymar është këtu, te PSG-ja, dhe mendoj se është shumë i ngjashëm dhe praktikisht i të njëjtit nivel si Cristiano Ronaldo. Unë mësoj shumë edhe nga Edinson, Cavani, një golashënues shumë i fortë”.
Francezi ka përfituar nga të luajturit së bashku me Neymarin dhe Cavanin, që kur u bashkua me PSG-në në verë, ndërsa thotë se ka vënë re që ylli brazilian nuk është aq egoist, sa shumë besojnë. “Njerëzit nga jashtë shohin një Neymar në fushë, duke bërë truket dhe driblimet individuale. Ju mendoni se është duke u përpjekur të gëzojë veten, se është egoist dhe vetëm mendon për veten e tij, por kur ndani një dhomë të zhveshjes me të, e kupton se nuk është kështu. Është e vërtetë se ai është një person shumë i mirë, se është i interesuar për të tjerët, është shumë i mirë dhe luan me mish e me shpirt për PSG-në. Është e vërtetë se futbolli i tij ka të bëjë me driblimin dhe aftësitë, ndaj nuk mund t’i kërkoni të ndalet, sepse ai e bën shumë mirë këtë gjë. Askush nuk ka dribluar si ai në këtë aspekt të lojës, është një futbollist që mund të fitojë tituj dhe ne duhet të përfitojmë prej tij”.