Kryeministri i Serbisë, Milos Vuçeviç, gjatë prezantimit në Parlament të programit të qeverisë së tij të re premtoi vijimin e marrëdhënieve të ngushta me Shqipërinë, edhe pse siç tha ai të dyja shtetet mund të mos pajtohen kurrë përsa i përket statusit të Kosovës.
“Shqipëria, është një shtet me të cilin kemi arritur të çojmë përpara më shumë se asnjëherë më parë marrëdhëniet edhe në rrethanat e krijuara përmes projektit të Ballkanit të Hapur. Ne dëshirojmë që të vazhdojë të ruajë këtë nivel të marrëdhënieve të ngushta mes nesh edhe në vitet e ardhshme. E di që Shqipëria dhe Serbia ndoshta nuk do të pajtohen kurrë mes tyre kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës, por gjithashtu besoj se ne mund të kemi interesa të përbashkëta kur në rend dite dalin tema me rëndësi rajonale që shqetësojnë njësoj të dyja shtetet tona”.
Vuçeviç tha se nuk ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj Rusisë edhe pse për të anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektiv strategjik.
Ndërkaq Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi pakënaqësinë që dy të padëshiruar të Uashingtonit janë pjesë e qeverisë së re.
“Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për Vulinin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.”
Presidenti Vuçiç, tha se nuk ishte i lumtur me reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me emërimin si pjesë të qeverisë së re te Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviç, që janë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas tij qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët e Serbisë.