Mbërrijnë në Shqipëri testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmunit apo kontakteve të tyre.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu vizitoi sot laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, ku bëri me dije se testimet për linë e majmunit do të kryhen në Shqipëri.
“Në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik tashmë ne kemi bërë të mundur që për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, të kemi dhe testet specifike në këtë laborator”, u shpreh ministrja.
Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Shqipëria vlerësohet me risk të ulët përsa i përket lisë së majmunit. Vendet Europiane tashmë janë në alert, sepse janë më shumë se 29 vende ku janë konstatuar më shumë se 1700 raste të lisë së majmunit.
Duke folur për situatën epidemiologjike ku ditët e fundit është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid-19, Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të vaksinohen.
”Do të vijojmë që të jemi në të gjithë territorin. Njësitë e lëvizshme tashmë po bëjnë një punë fantastike në gjithë territorin, duke vijuar vaksinimin derë më derë dhe duke kapur pikërisht ato xhepat e popullatës që ende nuk janë vaksinuar me dozën e tretë. Ndërkohë që ne kemi të miratuar dhe dozën e katërt”, tha Manastirliu.