Ka mbërritur familja e parë ukrainase në Tiranë, e cila është larguar nga tmerri i luftës.
Ka qenë Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ka bërë publike foton e familjes ukrainase që ka mbërritur në Tiranë, ku shihet nëna me dy fëmijët e saj.
“Ikur nga tmerri i luftës, familja e parë nga Ukraina mbërrin në Tiranë! Mikpritja shqiptare nuk zhgënjen! Uka Farm në Laknas hap dyert për nënën me dy fëmijët e saj”, shkruan ministrja.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se Shqipëria është e gatshme të presë refugjatë ukrainas.
Më herët në Shqipëri kanë mbërritur edhe shtetas të tjerë ukrainas, por ata nuk kanë kërkuar status refugjati dhe as ndihmë. Bëhet fjalë për shtetas ukrainas që kanë prona në jug të vendit dhe ata janë vendosur aty.
Mbi 2 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.