Politika Mbështetësit e tij sulmuan deputetët, reagon Basha: Debatet dhe mendimi ndryshe duhen...

Mbështetësit e tij sulmuan deputetët, reagon Basha: Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjithë

Pasi mbështetësit e tij shkaktuan incidente në mbledhjen e Kryesisë së PD duke dhunuar verbalisht deputetët, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale, ku shkruan se mendimi ndryshe brenda partisë është shenjë e një reflektimi të thellë.

Sipas Bashës, në mbledhje, për më shumë se 8 orë ka patur debat konstruktiv për riorganizimin e PD.

“Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike. Nuk ka gjë më demokratike se mendimet e ndryshme në një forum politik. Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjithë. Vlerat demokratike që na drejtojnë në këtë rrugëtim të vështirë për ne demokratët nuk mund të cënohen nga asnjë individ”.

Por edhe pse ishin mbështetësit e tij ata që shkaktuan tensione në mbledhjen e Kryesisë dhe shantazhuan deputetët, Lulzim Basha thotë se dënon çdo përpjekje që ngjall tensione.

“Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas”, shkruan Basha.

Më herët, për shkak të tensioneve që shkaktuan mbështetësit e Lulzim Bashës, Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare partie, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dënoi incidentet e shkaktuara dhe dhunën verbale të ushtruar ndaj deputetëve të PD-së dhe anëtarëve të Kryesisë.