Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama priti në Rinas komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ku zhvilluan edhe një konferencë për shtyp.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se komisioneri Varhelyi ka qenë zëri i arsyes në Komisionin Europian për të mos lënë jashtë Ballkanin nga skema e vaksinave.
“Unë dua t’i shpreh mirënjohjen edhe dua ta falënderoj publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë të jashtëzakonshme. Falë komisionerit, në radhë të parë KE u kthye si motor si solidaritetit jo vetëm për planet e rimëkëmbjen, por edhe për vaksinimin e vendeve evropiane, përfshirë 6 vendet e rajonit tonë”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Më vjen natyrshëm që të kujtoj këtu se komisioni ka mundësuar njëkohësisht kualifikimin e vendeve të rajonit, flas për Shqipërinë, për përballimin e nevojave për shëndetësinë. Janë afro 1 mln euro që i takojnë Shqipërisë”, tha më tej kreu i qeverisë.
Rama shtoi se shuma totale e Bashkimit Europian prej 2.2 mld euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin.
“Tani kanë mbërritur në Shqipëri dozat e para dhe deri në gusht Shqipëria do të marrë pjesën e saj të akorduar”, përfundoi kreu i qeverisë.
Disa herë, kryeministri ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Bashkimit Europian për lënien jashtë të Ballkanit Perëndimor nga procesi i vaksinimit.
Ndërsa, Varhelyi theksoi se Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat janë donacion nga Bashkimi Europian.
“Jam i kënaqur që kemi arritur deri në fund të këtij procesi që më ka sjellë këtu me dorëzimin e vaksinave. Ne kemi punuar shumë që kjo gjë të bëhet realitet, në një moment kyç, në një moment kur ne duhet të dalim nga kjo pandemi. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, që jo vetëm po i sjell këtu BE, janë dhurim, janë një donacion për ju nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Ne nuk mund ta bënim dot këtë pa qeverinë austriake”, përfundoi ai.