Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se në dy javët e fundit ka një rritje të numrit të personave të infektuar me Covid-19 dhe të pacientëve të shtruar në spitalet Covid.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se në periudhën 2 Janar 2021 deri më 15 Janar 2021, ka një rritje me 217 raste të reja për 100 mijë banorë.
“Kemi 217 raste të reja për 100 mijë banorë në javën të datave 2-15 Janar dhe një rritje me 260 raste në 14 ditët e fundit. Nga ana tjetër, kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki duke u rritur numri i bashkive që ka raste të reja të infektuar nga 44 në 50 ku janë infektuar, raste të prekura me një mesatare të përjavshme.
Përsa i përket numrave të pacientëve të shtruar, ballafaqohemi me rritje të rasteve, edhe pse rritja e numrave në spitale është e qëndrushme, nuk jemi në situatë alarmante. Por tregon që duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës. Numrat të pacientëve kanë pësuar rritje në 14 ditët e fundit me një mesatare 14 ditore prej 273 shtrimesh. Në ditët e fundit rastet e pacientëve të shtruar në terapi intensive ka patur rritje nga 31 në 33. Sa i përket shfrytëzimit të shtretërve në spitalet covid 1 dhe covid 2, kemi një zënie të statistikave me 45.1 % në spitalin covid 1 dhe 34.7% në spitalin covid 2”, u shpreh Manastirliu.
Ndërkohë, në fuqi do të vijojnë të mbeten masat kufizuese nga ora 22:00 deri në orën 09:00.
“Komiteti ka marrë vendim që të vijojnë të mbeten në fuqi masat e kufizimit nga ora 22:00 deri në orën 06:00. Do vijojë të mbetet në fuqi vendimi për pezullimin e aktiviteteve të bareve nga ora 22:00 deri në orën 06:00”.
Ndër të tjera, ministrja e Shëndetësisë theksoi se mësimi në Universitete do të bëhet online deri në një urdhër të dytë në varësi të situatës epidemiologjike në vend. Përsa i përket fluturimeve drejt Mbretërisë së Bashkuar, do të vijojnë të mbeten të pezulluara deri më datë 1 Shkurt dhe më pas do të ketë rivlerësim.