Aktualitet Mbetet mister zhdukja e Davide Pecorelli-t. Italianë nuk nxjerrin dot ADN-në

Mbetet mister zhdukja e Davide Pecorelli-t. Italianë nuk nxjerrin dot ADN-në

Mbetet ende mister zhdukja e biznesmenit italian Davide Pekoreli në vendin tonë. Gazeta italiane “Il Mesaggero” shkruan se eshtrat që u dërguan nga Shqipëria ishin të pamjaftueshme për të nxjerrë prej tyre ADN-në. Mbetjet kockore u gjetën në makinën e shkrumbuar në ditët e para të Janarit, në pyjet e Pukës.

Sipas të njëjtave burime, ekspertët italiane e kanë pasur të pamundur të identifikojnë një ADN të qartë të mbetjeve e cila do të krahasohej me mostrat e marra nga familjarët e tij. Në këtë pikë hetuesit u kanë kërkuar të tjera të dhëna homologëve shqiptarë. Zhdukja e 45-vjeçarit ka angazhuar autoritetet e të dyja vendeve që ende nuk kanë dalë me një version të qartë për ngjarjen.

Në duart e hetuesve janë tashmë vetëm telefoni i gjetur në makinë dhe ora e biznesmenit italian. Pistat ku po hetohet është vetëvrasja, një ngjarje aksidentale ose eliminimi i Pekorelit. Por varianti i fundit shihet si më pak i besueshëm për shkak se nuk ka prova që të kemi të bëjmë me një rrëmbim apo ekzekutim të tij të qëllimshëm.

Davide Pekoreli kishte deklaruar para zhdukjes se do të udhëtonte në veri të vendit për të shtrirë aktivitetin e tij si dhe për të shitur një pajisje të shtrenjtë mjekësore. Makina e marrë me qira u gjet në flakë nga kalimtarët e zonës ndërsa një ditë më pas u zbuluan edhe disa mbetje kockore të cilat ende janë pa emër.