Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi këtë të mërkurë se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me një trend zbritës të lehtë, megjithatë kjo pritet të konfirmohet në ditët në vijim.
Ajo tha se nuk ka të dhëna të plota për praninë e mutacionit anglez në Shqipëri. Gjithashtu është vendosur që të vazhdohet me masat që kanë qenë deri më tani. Pra ora policore do të jetë në fuqi pas orës 22:00, ndërkohë që edhe universitetet do të jenë të detyruara të japi mësim online edhe për dy javë të tjera.
Po ashtu është marrë vendimi për të pezulluar fluturimet me Britaninë deri më 18 Janar.
“Situata paraqitet e qëndrueshme me një tendencë ulje, që pritet të konfirmohet ose jo në javët ë vazhdim. Nuk kemi të dhëna të plota për praninë e virusit, të ashtuquajtur virusi anglez. Në diskutimin e bërë sot, mendohet që kjo situatë e qëndrueshme është pasojë e masave të propozuar dhe të marra dhe ne mendojmë që në këtë lloj situate të vazhdojë të mbetet në fuqi ora policore pas orës 22:00. Universiteti të vazhdojë edhe për një periudhë dyjavore online. Po ashtu udhëtimet me Britaninë të mbeten të pezulluara deri në datën 18 Janar”, tha Rakacolli.