Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat se Shqipëria ka dhënë autorizimin e saj për transportin e mallrave të rrezikshme në rrugë detare drejt Tajlandës. Nga foltorja e Kuvendit ku mbahet interpelancë për këtë çështje, kreu i qeverisë tha se edhe nëse këto mallra do ishin të rrezikshme, transporti i tyre në rrugë detare nuk është i ndaluar.
“Edhe sikur këto mallra të deklaruara të ishin të rrezikshme, transporti në rrugë detare nuk është i ndaluar as nga legjislacion kombëtar, as ai ndërkombëtar. Përkundrazi, mbetjet teknologjike apo industriale transportohen rëndomë në rrugë detare në të gjithë rruzullin tokësor. Duke ndjekur procedurat e tyre në anije dhe porte në zbatim të kodeve ndërkombëtare detare që janë të njëjtat edhe në portet shqiptare. Procedura e eksportit të mbetjeve qofshin të rrezikshme ose jo bazohet në dispozitat e ligjit, që janë në përputhje me kërkesat dhe parimet e konventës së Bazelit, ku Shqipëria është anëtare që prej 1999. Autorizimi që lëshohet për eksport të mbetjeve qofshin të parrezikshme, apo e kundërta, ka një afat maksimal 1 vjeçar. Nëse kompania pas përfundimit të afatit do të kryerje eksporte të tjera duhet të paraqesë një aplikim të ri pranë dikasterit përkatës”.
Në rastin konkret kryeministri tha se vendi ynë nuk ka dhënë asnjë autorizim specifik.
“Pra ndjekja e çdo vije logjike, pa psikopatologjizuar vijën mendore të çon në përfundimin se autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar në këtë rast asnjë autorizim specifik për eksport të mbetjeve të rrezikshme për ngarkesën e dyshuar dhe për rrjedhojë, pretendimi i rrjedhur me diarrenë e gojës së pahijshme që nuk paska pasur miratim nga Tajlanda dhe kontejnerët e linjës prestigjioze ndërkombëtare qenkan nisur nga Shqipëria vjedhurazi, është po aq i qëndrueshëm sa ç’mund të jetë e qëndrueshme shkarkesa likuide e asaj goje. Sepse nuk ka si të ketë miratim nga Tajlanda për ngarkesën në fjalë, kur vetë Shqipëria nuk ka pasur çfarë autorizimi të japë!”
Rama e cilësoi këtë kërkesë të Bardhit si një vijim i “shpifjeve” të kahershme dhe në shfrytëzim të rregullores e misionit të deputetit.
“Jam këtu sot për t’ju përgjigjur një kërkese për interpelancë në shfrytëzim abuziv të rregullores dhe misionit të deputetit, pas një serie fletërrufesh të akuzave dhe fantazive malinje për të helmuar shqiptarët përmes kanarizimvee të panumërta të botës digjitale. E tillë është edhe kërkesa për këtë interpelancë. Burimi tjetër i kësaj telenovele që u shfaq paralelisht me ngjarjen e Pogradecit ku një i vrarë u bë mish i grirë për organizmin ripërtypës të tellallëve të politikës. Vetë organizata joqeveritare ndërkombëtare shprehet se ka dyshime për mundësin që një sasi mallrash të nxjerra nga përpunimi industrial, janë mbetje të rrezikshme. Pra dyshime, asgjë e vërtetuae! Asnjë certIfikatë, asnjë provë e faktuar ende. Deri tani, vetëm dyshime.
Sidoqoftë, qysh në çastin e sinjalizimit agjencitë ligjzbatuese kanë nisur hetimin në bashkëpunim me organet evropiane. Ndërkohë që OLAF vazhdon të hetojë, goja e pangishme e urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Akuzat ekstreme dhe fajtorët kriminelë të regjimit imagjinar me mua në krye. Duke llogaritur se qysh se ajo gojë shumë tellalëshe merret më mua, më është bërë si rregull një akuzë në javë. Unë kam kohë që nuk merrem si më parë me akuza…”
Teksa theksoi se organet kompetente po hetojnë mbi atë që deri më tani është veçse një dyshim, kreu i qeverisë shtoi se këto mallra në bazë të verifikimeve të kryera nuk rezultojnë të rrezikshme.
“Duke qenë se luhet jo me mua, por me nervat dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve që tani po u flitet për Shqipërinë si një gropë mbejtesh të rrezikshme, kam detyrimin të sjell disa fakte të thjeshta. Pastaj vetëm hetimi mund të sjellë përgjigje përfundimtare. A është kryer eksport? Sipas të dhënave të bëra publikisht, në çdo deklaratë, dokument, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë, nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme.
Praktika doganore ka të bashkëngjitur certifikatën nga laborati i BE. Mallrat e deklaruara janë transportuar nga porti i Durrësit drejt porteve eruopiane me të gjithë dokumentacionin përkatës përmes kontenierëve me reputacion. Kanë qëndruar dhe janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE, ku askush nuk i ka penguar. Nga verifikimet, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët europianë. E njëjta gjë vlen edhe nga pikëpamja e legjislacionit portuar dhe trasportit detar. Këto mallra nuk futen tek ato të rrezikshme. Në rastin më të mirë është alogjik, në më të keqin kemi të bëjmë me një aludim osikopatologjik, i aluduar nga burimet ndotëse të Tiranës politike apo mediatike.”