Në Parlament po zhvillohet interpelanca me kryeministrin Edi Rama në lidhje me mbetjet e toksike, e kërkuar nga PD.
Gazment Bardhi u shpreh se qeveria duhet ta kishte sqaruar këtë çështje pa qenë nevoja që opozita të kërkonte interpelancë.
“Më vjen mirë që me ju atje sipër, mesa duket i duket vetja Skënderbe dhe ka ardhur në interpelancë dhe mos t’i fshihet opozitës dhe opinionit publik për një çështje që ne gjykojmë që qeveria duhej ta sqaronte pa patur nevojë që opozita të kërkonte interpelancë me kryeministrin pasi ishte një çështje që krijonte panik te qytetarët dhe lidhej me jetën dhe shëndetin e tyre”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, Porti i Durrësit është shfrytëzuar për të nxjerrë nga jashtë vendit mbetje të rrezikshme helmuese.
Ai tha se reagimet e institucioneve përgjegjëse kanë qenë kontradiktore. Sipas tij për shkak të veprimeve të paligjshme apo mosveprimeve të disa autoriteteve pritet që në Shqipëri të kthehen në minimum 1600 tonë mbetje toksike që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
“Lidhur me këtë çështje ka pasur disa reagime kontradiktore të disa prej institucioneve përgjegjëse disa ditë më vonë nga kur doli lajmi përfshi këtë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Portin e Durrësit, Drejtorinë e Doganave, Policinë e Shtetit etj. Ka dyshime serioze që Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit, traktatin e OKB që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme.
Rastet e përsëritura të konstatuara ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. Kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por një aktivitet kriminal që përfshin përgjegjësi për veprime të paligjshme apo mosveprime të disa autoriteteve shtetërore në varësi të kryeministrit si dhe një mungese apo neglizhence kriminale të mbikëqyrjes së aktivitetit të paligjshëm të disa subjekteve private deri më tani të identifikuar janë Kurum dhe Sokolaj SHPK. Për këtë arsye vetëm për dy ngarkesat e identifikuara rezulton se në Shqipëri do të kthehet një sasi në minimum 1600 tonë mbetje toksike të patrajturara dhe të papërpunuara që rrezikojnë sigurinë kombëtare, jetën dhe sigurinë e qytetarëve”, u shpreh Bardhi.