Bota Mbi 200 milionë vaksinime në SHBA, Biden: Mund të dërgojmë doza në...

Mbi 200 milionë vaksinime në SHBA, Biden: Mund të dërgojmë doza në vendet në nevojë

Shtetet e Bashkuara po punojnë për t’u siguruar vaksina, vendeve që kanë nevojë të jashtëzakonshme.

Këtë e tha presidenti amerikan Joe Biden, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa njoftoi se mbi 200 milionë amerikane e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, presidenti u pyet se si mund të ndihmohen vendet e tjera.

“Kemi filluar përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë. Kemi dhënë një sasi. Tani do të shohim se çfarë do të bëjmë me disa nga vaksinat që nuk po i përdorim. Ne duam të garantojmë që t’i dërgojmë ato në mënyrë të sigurt dhe shpresojmë të jemi në gjendje të ndihmojmë vendet në gjithë botën”, u shpreh Biden.

Megjithatë, numri një i Uashingtonit tha se për momentin nuk kanë aq shumë doza sa t’i dërgojnë jashtë vendit.

“Nuk kemi mjaftueshëm sa t’i dërgojmë jashtë kufijve në këtë moment. Por mendoj se do ta bëjmë këtë së shpejti.”

Komentet e Biden për ndihmë shtesë për vendet e tjera u bënë pasi ai lexoi një deklaratë të përgatitur ku njoftoi se SHBA kishte realizuar një objektiv që nuk e ka bërë asnjë vend tjetër gjatë pandemisë së koronavirusit dhe as në ndonjë fushatë të mëparshme vaksinimi për viruse: dhënien e 200 milionë dozave brenda 100 ditëve.

“Është një arritje e jashtëzakonshme për vendin”, tha presidenti, duke shtuar se kjo ndodhi në ditën e tij të 92-të në detyrë.

Presidenti gjithashtu bëri thirrje që çdo punëdhënës në SHBA t’u japë punonjësve leje me pagë që ata të mund të vaksinohen.

Administrata Biden ka investuar 4 miliardë dollarë në programin global COVAX për të ndihmuar me furnizimin e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe është zotuar t’u dërgojë miliona doza të AstraZenecas, të cilat nuk janë ende të autorizuara për t’u përdorur në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës fqinje.

Kritikat

SHBA-ja dhe vende të tjera të pasura janë përballur me kritika ndërkombëtare për blerjen e pjesës më të madhe të sasisë globale të vaksinave kundër COVID-19. Megjithatë, edhe shumë shtete të zhvilluara kanë mungesa dhe i janë lutur Uashingtonit për ndihmë. Koreja e Jugut beson se duhet të jetë ndër të parat vende që duhet të marrë ndihmë nga aleati i saj i vjetër.

“Ato vende që aktualisht po vaksinojnë të rinjtë, apo personat e shëndetshëm me rrezik të ulët për t’u sëmurur po e bëjnë këtë në kurriz të jetës së punonjësve të shëndetësisë, njerëzve të moshuar dhe grupeve të tjera në rrezik në vendet e tjera”, tha muajin e kaluar Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai fajësoi vendet e pasura për vdekjet e atyre njerëzve me rrezik të lartë ndaj virusit, në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.

Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur qëndrimin e tyre për t’u kujdesur më parë për popullatën në vend, duke theksuar gjithashtu numrin e vdekjeve si pasojë e COVID-19-s, i cili është më i larti krahasuar me çdo vend tjetër në botë.