Përgjimi telefonik dhe ai ambiental është një nga mjetet më të shpeshta të prokurorive në kërkim të provës, për zbardhjen e ngjarjeve. Përgjatë vitit 2021, sipas raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, janë vënë në përgjim 3412 persona në të gjithë vendin.
Përgjimet kanë sjell arrestimin e 640 shtetasve në flagrancë. Nën vëzhgimin e autoriteteve kanë rezultuar të jenë më shumë personat e dyshuar për kultivimin, shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Në funksion të goditjes së trafikut të emigrantëve të Lindjes, prokuroritë e rretheve rezultojnë të kenë përdorur përgjimin për kapjen në flagrancë dhe zbardhjen e skemës.
Vrasjet, plagosjet dhe krimet e tjera ndaj personit janë në vendin e tretë për të cilat kërkohen përgjime nga grupi hetimor.
Jashtë lupës së prokurorive nuk kanë mbetur edhe zyrtarët, të cilët nën dyshimin e shkeljes së detyrës dhe korrupsionit janë vënë në përgjim. Vlen të thuhet se këto janë përgjime të kryera nga prokuroritë e rretheve pa llogaritur ato që bën SPAK për hetimet e tij, raporton Tv Klan.