Më shumë amerikanë kanë humbur jetën në një vit pandemik sesa në dy luftëra botërore dhe atë në Vietnam, të marra së bashku. Janë më shumë jetë të humbura se sa në çdo vend tjetër të botës.
Presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua vendit me një fjalim, pasi viktimat e koronavirusit i tejkaluan 500 mijë, më shumë se sa në çdo vend tjetër të botës.
Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe bashkëshortët e tyre mbajtën më pas një minutë heshtje jashtë Shtëpisë së Bardhë gjatë një ceremonie me qirinj në homazh të jetëve të humbura.
“Sot kalojmë një prag të trishtë, pikëllues, mbi 500 mijë vdekje. Më shumë amerikanë kanë humbur jetën në një vit pandemik sesa në dy luftëra botërore dhe atë në Vietnam, të marra së bashku. Janë më shumë jetë të humbura se sa në çdo vend tjetër të botës. Si komb nuk mund ta pranojmë një fat të tillë mizor”, u shpreh Biden.
Presidenti urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtizë përgjatë 5 ditëve të ardhshme në të gjitha godinat federale. Ndërkaq, këmbanat e Katedrales Kombëtare në Uashington, ranë 500 herë për çdo 1 mijë jetë te humbura gjatë krizës shëndetësore.
Qasja e Biden ndaj pandemisë është e ndryshme nga ajo e paraardhësit Donald Trump, i cili hidhte dyshime mbi impaktin e virusit vdekjeprurës dhe politizoi mbajtjen e maskave dhe masave të tjera, të nevojshme për frenimin e pandemisë.
Edhe pse shifrat duket se tani po shkojnë në drejtimin e duhur, shtrimet ne spital dhe vdekjet vijojnë të mbeten të larta. Eksperti i sëmundjeve infektive Anthony Fauci tha se ndasitë politike kishin ndikuar në bilancin e tmerrshëm, që sipas tij do të linte shënja të thella në kujtesën amerikane.
“Kjo është gjëja më e keqe që i ka ndodhur këtij vendi në më shumë se 100 vjet. E pas 20, 50 apo 100 vitesh njerëzit do të vazhdojnë të flasin për vitin e tmerrshëm 2020 e mbase edhe 2021-shin”, u shpreh ai.
Jetëgjatësia mesatare në Shtetet e Bashkuara ka rënë me një vit të plotë për shkak të Covid-19, sipas qendrës amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve. Burrat me ngjyrë janë më të prekurit, për të cilët jetëgjatësia ka rënë me 3 vite mes janarit dhe qershorit të vitit 2020.