Bota Mbi 900 mijë viktima nga Covid-19 në botë, Franca: Mund të kthehet...

Mbi 900 mijë viktima nga Covid-19 në botë, Franca: Mund të kthehet izolimi

Mbi 900 mijë vetë kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në të gjithë botën, ndërsa të prekurit po i afrohen 28 milionëshit.

Shtetet e Bashkuara vijojnë të kryesojnë listën me mbi 6 milionë infektime të konfirmuara dhe rreth 190 mijë viktima.

Mbi 1 mijë humbje jetësh dhe 35 mijë raste të reja u shënuan në Brazil gjatë 24 orëve të fundit, për një total prej 4.1 milionë rastesh dhe 128 mijë vdekjesh.

India, një tjetër vend i prekur rëndë nga koronavirusi, regjistroi një shifër rekord prej rreth 95 mijë e 700 rastesh në 24 orë. Megjithatë në raport me popullsinë bilanci i jetëve të humbura në këtë vend mbetet relativisht i ulët.

Franca ndërkaq përgatitet për rikthim të kufizimeve lokale ndërsa infektimet po rriten në rreth 20 qytete. 8577 ishin rastet e raportuara në 24 orë, ndërsa autoritetet rajonale të zonës së Bordeaux thanë së ekziston rrezik i lartë për rikthim në izolim.

Spanja regjistroi 4400 raste të tjera pikërisht në ditën kur shkollat rihapen në shumicën e rajoneve. Maskat janë të detyrueshme nga 6 vjeç e sipër.

Ndërkaq në Japoni, ku përhapja është më e përmbajtur, krahasuar me situatën në shtetet e tjera, 48 për qind e popullsisë pretendon se ndihet më në formë që prej përhapjes së pandemisë, për shkak të masave të marra gjatë emergjencës dhe përmirësimit të stilit të jetës. Konstatimi bëhet nga një sondazh i zhvilluar me 5640 persona.