Mbi një mijë efektivë policie do të angazhohen për mbarëvajtjen e tubimit të thirrur të hënën në orën 17:00 nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Policia ka pranuar kërkesën e Presidentit, ndërsa mësohet se tubimi do të monitorohet nga policia, FNSH dhe forcat “Shqiponja”.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, policia ka vendosur të marrë edhe një sërë masash, duke bllokuar disa rrugë pranë Kryeministrisë.
Gjithashtu, bëhet me dije, se ekipet e policisë do të jenë në gatishmëri nga Ministria e Brendshme, deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Presidenti Meta ka thirrur qytetarët të protestojnë sot në orën 17:00 para Kryeministrisë për të rrëzuar qeverin ë Rama. Ndaj kësaj qeverie Presidenti ka drejtuar akuza të rënda, si:”grusht shteti përmes sistemit të drejtësisë”, “shkelje e Kushtetutës”, “lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Meta ka deklaruar se në 2 mars pret që dy institucionet kryesore, “qeveria dhe parlamenti t’i kthehen popullit shqiptar.”