Bota ka ende shumë rrugë për të bërë, në përpjekjen për t’i dhënë fund pandemisë së Covid-19, por sëmundja vdekjeprurëse sipas OBSH-së, mund të vihet nën kontroll përmes bashkëpunimit për vaksinimin, e parandalimin e epidemive rreth globit. Gjatë një konference në Gjeneve të hënën, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se prej 7 javësh po dëshmonin rritje të rasteve, dhe se java e fundit u bë e katërta me numrin më të lartë të infektimeve që prej shpërthimit të pandemisë. Gjithashtu vdekjet po rriten prej4 javësh.
“Kjo pandemi është ende shumë larg fundit. Por ne kemi shumë arsye për optimizëm. Rënia e rasteve dhe vdekjeve gjatë dy muajve të parë të vitit tregoi se virusi dhe variantet e tij mund të ndalohen. Me një përpjekje të përqendruar për të aplikuar masa të shëndetit publik bashkë me vaksinimin e barabartë ne mund ta vëmë këtë pandemi nën kontroll”.
Ekspertja e OBSH, Maria Van Kerhove raportoi se bota kishte regjistruar më shumë se 4.4 milionë raste të konfirmuara nga 4 deri në 11 prill, 9 përqind më shumë se javën e kaluar. Vdekjet u rritën me 5 perqind. Siç thuhet shumë prej të infektuarve me koronavirus, përfshirë ata me forma të lehta, kanë përjetuar simptoma afatgjata, përfshirë lodhje, marrje mendsh, pagjumësi, dridhje dhimbje kyçesh apo kraharori.
“Kjo sëmundje nuk është grip. Persona të rinj kanë vdekur. Dhe ne ende nuk i dimë pasojat afatgjata të infektimit tek personat e mbijetuar”.
Mbi një milion viktima në Europë
Europa ka regjistruar më shumë se një milion vdekje nga COVID-19, që nga zbulimi i tij në Kinë në dhjetor 2019, sipas raportimeve të siguruara nga autoritetet shëndetësore.
Vendet dhe territoret e rajonit kanë një total prej të paktën 1 000 288 viktimash (për 46 496 560 raste), përpara Amerikës Latine dhe Karaibeve (832 577 vdekje, 26 261 006 raste), SHBA/Kanadasë (585 428 vdekje, 32 269 104 raste), Azisë (285 824 vdekje, 19 656 223 raste), Lindjes së Mesme (119 104 vdekje, 7 011 552 raste), Afrikës (115 779 vdekje, 4 354 663 raste) dhe Oqeanisë (1 006 vdekje, 40 348 raste).
Europa i kaloi 500 000 vdekjet më 17 dhjetor 2020, 11 muaj pas regjistrimit të vdekjes së parë në Kinës në janar 2020. Që nga fundi i marsit 2021, kurba e vdekjeve është stabilizuar.
Në raport me popullsinë, vendet më të prekura në botë janë ato europiane: Republika Çeke është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve, me 261 vdekje për 100 000 banorë, e ndjekur nga Hungaria (245) dhe Bosnjë-Hercegovina (228).
Vdekjet e regjistruara në Europë përfaqësojnë më shumë se një të tretën e 2,94 milionë viktimave të pandemisë që janë regjistruar në të gjithë botën, për më shumë se 136 milionë raste të diagnostikuara që nga fillimi i pandemisë.