Një spital kalifornian njoftoi të mërkurën se foshnja me peshë fare të vogël, vetëm 245 gramë, më e vogël se një pako gjalpë, kishte arritur të mbijetonte.
Foshnja e quajtur Saybie nga personeli i spitali ”Sharp Mary Birch” në San Diego, u kthye në shtëpinë e saj në mesin e muajit maj, pas pesë muaj kujdesi mjekësor intensiv.
”Është një foshnje e buzëqeshur në gjendje të mirë shëndetësore me peshë rreth 2,3 kilogramë”, thanë nga personeli i spitalit.
Foshnja u lind dhjetorin e kaluar në javën e 23-të të shtatzënisë.
Mjekët vendosën të kryenin me urgjencë lindjen çezariane pas komplikacioneve që rrezikonin jetën e nënës.
Ata i njoftuan babait të foshnjës se kishte vetëm një orë kohë për të kaluar me të bijën përpara se ajo të ndërronte jetë.
”Por, një orë u bë dy, që më pas u bë një ditë, që u transformua në javë”, tregon e ëma në një video të transmetuar nga spitali.