Çështja e pensioneve të emigrantëve vijon të diskutohet mes Shqipërisë dhe Greqisë megjithatë nuk është arritur në një marrëveshje. Kryeministri Edi Rama u shpreh se diskutimi me Greqinë dhe Italinë, ku ka edhe një prezencë të lartë të emigrantëve nuk është shumë i lehtë.
Rama u shpreh se mes palëve nuk mungon dëshira dhe angazhimi, por problemi qëndron në aspektin financiar. Megjithatë edhe për këtë çështje ai u shpreh se procesi do të vijojë në mënyrë që të zgjidhet.
“Diskutimi për pensionet është një diskutim që është i hapur, por e vërteta është që qoftë me Greqinë dhe Italinë ku është prania më e madhe e emigrantëve shqiptarë nuk është një diskutim i lehtë, jo sepse mungon dëshira apo angazhimi, por sepse bëhet fjalë për një zgjidhje që në aspektin financiar kërkon një impenjim serioz dhe për këtë arsye procesi i diskutimit vazhdon, padiskutim me shprehjen e vullnetit të mirë për ta zgjidhur këtë proces”, tha Rama.
Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë rënë dakord që të adresojnë të gjitha çështjet që kanë nevojë për t’u zgjidhur mes dy vendeve. Një ndër to është edhe çështja e detit, ku palët do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare për ta zgjidhur.
Gjithashtu, kreu i qeverisë bëri me dije se kanë nisur bisedimet mes dy qeverive për të organizuar një mbledhje të përbashkët për të trajtuar çështjet me rëndësi për njerëzit në të dyja anët e kufirit.
“Kemi rënë dakord për një mbledhje të parë mes dy qeverive për t’u marrë me çështje që kanë rëndësi për njerëzit. Çështjet e patriotizmit nacional-folklorik nuk janë të qeverive tona. T’i japim një shtysë kësaj marrëdhënie dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe dhe prosperitet për të gjithë.
Dhe në mbyllje dua të them që nuk është një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, por është një diskutim shumë pozitiv dhe së shpejti kam besim do të përfundojë në mënyrë pozitive që është heqja e ligjit të luftës. Pasi humbën detin nacional-folklorikët do të humbin dhe tokën. Në tokë dhe në det nuk do kenë më çështje për t’u marrë.”