Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se aleance do të organizojë një mbledhje urgjente për të reaguar ndaj sulmit rus ndaj Ukrainës.
“E dënoj me forcë sulmin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, që vendos në rrezik jetë të panumërta. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit ndaj një shteti sovran dhe të pavarur”, tha Stoltenberg.
“Kjo është shkelje e rëndë e ligjeve ndërkombëtare, një kërcënim serioz ndaj sigurisë euro-atlantike. I bëj thirrje Rusisë të ndërpresë veprimet ushtarake menjëherë dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Vendet aleate të NATO-s do të takohen për të diskutuar për pasojat ndaj veprimeve agresive të Rusisë. Ne qëndrojmë krah popullit të Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët”.