Nga java e ardhshme, deputetëve mund t’u jepet mundësia që t’i zhvillojnë fizikisht mbledhjet e komisioneve parlamentare. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se deputetët duhet të jenë të vaksinuar në mënyrë që të marrin pjesë në komisione apo seancë plenare.
“Ne kemi diskutuar me përgjegjësi lidhur me mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve, seancës plenare, ku ka prevaluar nga të gjithë nevoja e sensibilizimit por tashmë me rregulla strikte të shembullit që duhet të japin deputetët që në mbledhjet e Komisioneve parlamentare por edhe seanca plenare deputetët duhet të kenë kryer plotësisht vaksinimin të jenë të pajisur me certifikatën përkatëse. Kjo gjë ka marrë kohën e vet. Si kryetar i grupit parlamentar kam ushtruar autoritetin tim, edhe deputetët duhet të komportohen me të njëjtat rregulla. Pjesa më madhe e kanë kryer dy dozat. Javën tjetër të gjithë deputetët e PS do të jenë të vaksinuar. Duke filluar nga java tjetër do të propozojmë që mbledhjet të zhvillohen duke respektuar distancat, por çdo deputet do të duhet që të vetëdeklarojë certifikatën përkatëse. Njësoj si në Bundestagun gjerman, në KE, etj. nuk mund të marrësh pjesë në një komision nëse nuk je i vaksinuar.
Praktika e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve online është praktikë që për raste të caktuara do të vijojë, sa bëhet fjalë për çështje që nuk janë të një rëndësie të veçantë.
Do t’i bëja thirrje shpirtrave të trazuar në PD që kjo çështje është një çështje që është e qartë. I bëj thirrje deputetëve atyre që ende nuk kanë ushtruar këtë detyrim që kemi ndaj gjithkujt për të kryer detyrimin që ka çdo qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi për të kryer vaksinimin me dy doza, sepse mendoj se Shqipëria në fazat e mëtejshme do të shkojë tek doza e tretë. Besoj javën tjetër Konferenca e Kryetarëve do i japë dritën jeshile kalimit të mbledhjeve tradicionale të Komisioneve. Javën tjetër do të kemi seancën plenare, dhe deputetët duhet ta dinë që pjesëmarrja duhet të jetë padyshim me ushtrimin e këtij me vaksinimin e detyrueshëm. Për këtë çështje do të duhet të shprehet edhe PD, por nga çfarë është diskutuar në seancën e fundit, kemi rënë dakord që pjesëmarrja duhet të jetë me certifikatë vaksinimi, ose në rast se mjekët nuk rekomandojnë vaksinimin, por të jesh i paraqitur me një test PCR brenda 48 orësh”.
Balla foli edhe për kërkesat e opozitës, ndër to edhe për të ngritur disa komisione hetimore, dhe tha se duhet të planifikohet çdo gjë në kohë që të vijojë puna normalisht.
“Do i lutesha opozitës që të mos harxhojmë kohë kot për këtë çështje. Është diçka që duhet ta respektojmë të gjithë dhe të vijojmë punën normale. Kam dëgjuar për kërkesa për komisione hetimore, jam informuar nga kryetarët e komisioneve në rastet e 3 komisioneve që ka kërkesa nga opozita për seanca dëgjimore, por të gjitha këto duhet të planifikuara në kohë që Kuvendi të vijojë punën normalisht. Dëshira jonë është që kjo legjislaturë e re të fillojë punë mbarë dhe ajo historia e tjerrur dje se ne paskemi frikë nga debati dhe se kryeministri i fshihet përballje, do kërkoja që t’i linim mbrapa këto historira, por të ecim përpara”, tha Balla.