Kulturë “Mbretëresha e krimit”: Kush ishte Agatha Christie, shkrimtarja më e shitur e...

“Mbretëresha e krimit”: Kush ishte Agatha Christie, shkrimtarja më e shitur e të të gjitha kohërave

Romanin e saj të parë policesk e shkroi, në fakt, fal një basti me të motrën, Tashmë, 100 vite nga ky botim, autorja e ndjerë Agatha Christie mbetet një emër i njohur, madje me një popullaritet gjithnjë e në rritje.

Vepra e saj e parë, botuar në vitin 1920

Pothuajse 4 miliard kopje të romaneve të saj janë shitur në mbarë globin, duke e bërë Agatha Christie-n një nga shkrimtaret më popullore në histori. Vetëm veprat e William Shakespeare dhe Bibla janë shitur më shumë sesa veprat e saj, por të parit ia ka kaluar me numrin e gjuhëve në të cilat është përkthyer.

Agatha Christie lindi më 15 shtator 1890 në Devon të Anglisë dhe vdiq më 12 janar 1976 në Oxfordshire. Ajo do të mbahet mend në histori si një nga autoret më të shitura të historisë. Romanet kriminale të Agatha-s kanë prodhuar disa nga personazhet më të njohur të letërsisë britanike. Në vitin 1971, Agatha mori titullin “damehood” (titull që merret nga femrat që japin kontribut të madh në një fushë të caktuar) nga Mbretëresha Elizabeta II për shërbimet e saj në letërsi.

Babai i Agatha-s, Frederick Alvah Miller, ishte një agjent burse nga Nju Jorku, dhe mamaja e saj Clara Boehmer, ishte vajzë e një oficeri ushtrie. Agatha kishte një vëlla të quajtur Louis dhe motrën Margaret.

Në vitin 1914 Agatha u martua me Archibald Christie, një oficer ushtrie. Sëbashku në vitin 1919 patën një fëmijë, që e quajtën Rosalind. Çifti u divorcua në vitin 1928. Agatha u martua me bashkëshortin e saj të dytë, arkeologun Sir Max Mallowan, në vitin 1930.

Agatha Christie, duke luajtur në piano, pranë bashkëshortit Max E. L. Mallowan, në mars të vitit 1946

Agatha u rrit në Devon gjatë dekadës së fundit të shekullit të 19. Mësoi të lexonte që në moshën 5 vjeçare. Ndërsa motra e vëllai i saj u dërguan jashtë për të studiuar, Agatha ndenji më prindërit e saj, dhe që në moshë të re filloi të lexonte, shkruante poezi e të luante muzikë. Në autobiografinë e saj, të publikuar në vitin 1977, Agatha shkruante se ishte me fat që kishte pasur një fëmijëri të lumtur.

Pas disa sulmesh në zemër, ajo humbi babain në nëntor të vitit 1901. Një vit më pas, Agatha filloi edukimin e saj në Shkollën e Vajzave në Torquay, përpara se të zhvendosej në Francë në vitin 1905 për të vazhduar arsimimin e saj në tre shkolla të ndryshme pariziane.

Pasi u kthye në Angli në vitin 1910, Agatha filloi të shkruante historinë e saj të parë të shkurtër të titulluar “Shtëpia e Ëndrrave”. Ky tregim iu publikua 16 vjet më vonë në një revistë. Ndërsa merrte leksione kërcimi në vitin 1912, Agatha u takua me oficerin Archie Christie, me të cilin ranë shpejt në dashuri, por e zgjatën martesën e tyre.

Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në korrik të vitit 1914, Archie u dërgua për të luftuar në Francë, ndërsa Agatha iu bashkua një grupi vullnetar si infermiere e papaguar në Spitalin e Kryqit të Kuq në Torquay. Çifti u martua në prag Krishtlindjesh në vitin 1914 në Bristol. Ata qëndruan në “The Grand Hotel” ditën e parë të muajit të mjaltit, përpara se Archie të kthehej në Francë më 27 dhjetor.

Kur punonte si infermiere gjatë Luftës I Botërore

Në fillim jeta e çiftit të martuar u ndërpre nga lufta, dhe ata takoheshin vetëm në raste të rralla gjatë konfliktit. Ishte gjatë Luftës së Parë Botërore, kur Agatha filloi të shkruante tregime me detektivë. “The mysterious Affair at Styles” ishte romani i parë. Agatha dhe bashkëshorti i saj u ribashkuan në janar të vitit 1918, kur Archie u kthye në Londër pasi iu dha një vend pune në zyrë.  Kur lufta përfundoi në nëntor të vitit 1918, Archie gjeti punë në sektorin e financës në Londër, dhe në gusht 1919 lindi vajza e çiftit, Rosalinda.

Romani i dytë i Agatha-s, “The Secret Adversary” u publikua në vitin 1922 dhe u prit mirë nga audienca. Në të njëjtin vit, si pjesë e punës së tij Archie, u kërkua të udhëtojë në fushat e Perandorisë Britanike për të promovuar Britaninë dhe kolonitë e saj, gjatë hapjes në vitin 1924 në Londër. Agatha iu bashkua bashkëshortit të saj nëpër udhëtime, dhe ndërsa vizitonte Hauain, çifti u bënë të parët europianë që praktikuan sportin e sërfit.

Viti 1926 provoi të ishte i vështirë për Agatha-n. E ëma e saj vdiq, dhe papritur bashkëshorti e njoftoi se po e linte atë për një grua tjetër. E prekur nga këto ngjarje, më 3 tetor Agatha la shtëpinë e saj gjatë natës me një shënim ku lajmëronte se po udhëtonte drejt Yorkshire. Mëngjesin e ditës tjetër, makina e saj u zbulua pranë një guroreje, disa milje larg shtëpisë së saj, dhe kërkimet për Agatha-n filluan. Gazetarët spekullonin se çfarë mund të kishte ndodhur me të.

Pas një kërkimi të gjatë, Agatha u zbulua në një hotel në Harrogate 11 ditë pasi ishte zhdukur. Ajo ishte regjistruar në hotel me emrin e gruas së bashkëshortit të saj, Theresa Neele. Ajo nuk foli kurrë publikisht për zhdukjen e saj. Pas shumë spekulimesh nga policia, të afërmit e saj apo gazetarët, nuk u mor vesh kurrë se çfarë ndodhi me të.

Në vitin 1928 Agatha përfundoi një nga novelat e saj më të famshme “Misteri i Trenit Blu”. Në fund të atij viti ajo finalizoi edhe divorcin me bashkëshortin.

Dy vjet më vonë, gjatë një vizite tek një vend arkeologjik në afërsi të Bagdadit, Agatha takoi arkeologun Max Mallowan, që ishte 14 vjet më i vogël se ajo. Çifti u martua në shtator 1930, 6 muaj pas takimit të tyre të parë.

Agatha vazhdoi të shkruante romane popullore detektive, disa prej të cilave ishin “Vdekje në Nil”, “Takim me vdekjen” etj.

Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1939, Agatha punoi vullnetare në një farmaci në Spitalin Universitar në Londër. Atje ajo mësoi rreth helmeve dhe ilaçeve të ndryshme, dhe i përdori këto njohuri të reja në romanet e saj kriminale të mëvonshme.

Agatha vazhdoi të shkruante edhe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe u vlerësua me çmimin CBE (Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike) në vitin 1956 për kontributin e saj në letërsi. Edhe bashkëshorti i saj mori çmim për punët arkeologjike.

Vepra e saj më e famshme, “Murder on The Orient Express”, e kthyer në film

Shëndeti i Agatha-s filloi të përkeqësohej gjatë viteve 1970, dhe më 12 janar 1976, ajo vdiq nga shkaqe natyrale në shtëpinë e saj në Oxfordshire. Novela e fundit e Agathas “Vrasja e Fjetur: Rasti i fundit i Zonjës Marple”, u publikua pas vdekjes së saj në tetor 1976.

****

Zhdukja e mistershme e Agatha Christie

Libri i Rekordeve Gines e liston atë si novelistja më e shitur e të gjitha kohërave, duke mbetur vetëm prapa Biblës dhe Shekspirit. Por ngjarja për të cilën Agatha mbahet mend më shumë është zhdukja e saj në dhjetor të vitit 1926. Historiani Giles Milton na kujton 11 ditët e zhdukjes së autores dhe kërkimet për të.

Agatha 2Rreth orës 9.30, mbrëmjen e të premtes më 3 dhjetor 1926, Agatha Christie u ngrit nga kolltuku i saj, ngjiti shkallët e shtëpisë në Berkshire, puthi vajzën Rosalind që po flinte dhe u kthye përsëri poshtë. Më pas i hipi makinë Morris Cowley dhe doli jashtë natën. Nuk u pa më për 11 ditë. Zhdukja e saj çoi në nxitjen e një nga kërkimeve më të mëdha të bëra ndonjëherë. Agatha Christie ishte tashmë një shkrimtare e famshme dhe më shumë se 1 mijë policë u caktuan për këtë rast, sëbashku me qindra civilë. Për herë të parë, në kërkim u përfshinë edhe avionët.

Sekretari i Shtetit, William Joyson-Hicks, i bëri thirrje policisë të bënte përparime më të shpejta për gjetjen e saj. Edhe shkrimtarët më të famshëm të historive kriminale, Arthur Conan Doyle, krijuesi i Sherlock Holmes, dhe Dorothy Sayers, morën pjesë në kërkim. Me njohuritë e tyre të veçanta, shpresohej të gjendej autorja e zhdukur.

Nuk iu desh shumë kohë policisë që të gjente makinën e saj. U gjet e braktisur në një shpat të pjerrët në Guildford. Por nuk kishte shenja të Agatha-s apo të ndonjë aksidenti. Kur dita e parë e hetimit u pasua nga e dyta dhe e treta dhe nuk kishte shenja të saj, filluan spekulimet. Shtypi filloi të shpikte teori mbi atë çfarë mund të kishte ndodhur.

Ishte një histori e përsosur tabloidi. Pranë vendit ku Agatha kishte lënë makinën ndodhej një pishinë e vjetër, ku më parë ishin mbytur dy fëmijë, disa gazetarë spekuluan se ajo mund të kishte mbytur veten, por përderisa trupi nuk iu gjet, atëherë vetëvrasja dukej e pamundur.

Disa thonë që incidenti nuk ishte gjë tjetër veçse një marifet për t’u bërë e famshme, një truk i zgjuar për të promovuar librin e saj të ri. Kishte dhe zëra se ajo ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, Archie Christie, ish-pilot i Luftës së Parë Botërore. Dihej që ai kishte një të dashur tjetër.

Arthur Conan Doyle, një okulist i mprehtë, u përpoq të përdorte fuqi paranormale për të zgjidhur misterin.  Dorothy Sayers gjithashtu vizitoi vendngjarjen për të dhëna të mundshme. Gjatë javës së dytë të kërkimeve, lajmi ishte shpërndarë në gjithë botën. Ishte bërë lajm kryesor në faqen e parë të New York Times. Më 14 dhjetor, plot 11 ditë pas zhdukjes së saj, Agatha Christie më në fund u gjet. Ajo ndodhej shëndoshë e mirë në një hotel në Haroogate, por në rrethana aq të çuditshme sa më shumë mistere të reja dolën se sa u zgjidhën. Christie vetë nuk dha asnjë detaj për atë që kishte ndodhur. Ajo nuk kujtonte asgjë. Iu la në dorë policisë të zgjidhte çështjen.

Arritën në konkluzionin që Agatha Christie kishte lënë shtëpinë e saj për të udhëtuar në Londër, por u përplas me makinë gjatë rrugës. Më pas i kishte hipur një treni për në Harrogate. Çuditërisht në hotelin që qëndroi ajo përdori emrin e të dashurës së re të bashkëshortit të saj, Theresa Neele.

Agatha nuk kishte marrë pjesë në asnjë nga ballot që zhvilloheshin në Harrogate në vitet ’20. Ajo u njoh nga një prej muzikantëve që ndodheshin në hotel, Bob Tappin, i cili njoftoi policinë. Ata informuan bashkëshortin i cili erdhi ta merrte menjëherë Agatha-n. Por kjo e fundit nuk e kishte me nxitim për t’u larguar. Madje, ajo e la atë të priste në hollin e hotelin, derisa të ndërronte fustanin e mbrëmjes. Agatha nuk foli kurrë për 11 ditët e saj të zhdukjes dhe për shumë vite, ka pasur shumë spekullime për atë çfarë ndodhi nga data 3 deri më 14 dhjetor 1926.

Bashkëshorti i saj tha që ajo kishte pësuar një humbje kujtese si rezultat i përplasjes me makinë. Por sipas biografit Andrew Norman,  shkrimtarja mund të ketë qenë në një gjendje të rrallë të shkaktuar nga trauma ose depresioni.

Ndërrimi i emrit me Theresa Neele, dhe paaftësia e saj për të njohur veten në fotografitë e gazetave ishin shenja të një traume.  “Gjendja e saj mendore ka qenë tepër e rënduar dhe ajo shkruajti më vonë në lidhje me këtë gjë në personazhin Cecilia ne librin e saj autobiografik “Portret i papërfunduar”.

Shumë shpejt ajo e mori veten dhe iu kthye shkrimeve. Por nuk e toleroi më tradhëtinë e bashkëshortit të saj dhe u divorcua nga ai në vitin 1928, e më pas njohu arkeologun Max Malloëan.

Ndoshta nuk e marrim vesh kurrë se çfarë ndodhi me siguri ato 11 ditë. Agtha la një mister të pazgjidhur mbrapa.