Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, është diagnostikuar me kancer. Lajmin e bëri të ditur pallati Buckingham, pa specifikuar se për çfarë lloj kanceri bëhet fjalë.
Nuk bëhet fjalë për kancerin e prostatës, por u zbulua gjatë trajtimit që mbreti mori në spital pas zmadhimit të prostatës.
Sipas deklaratës së bërë nga Pallati Mbretëror, Mbreti ka nisur trajtimin mjekësor.
Po ashtu, siç thuhet në njoftim, Charles mbetet optimist për trajtimin e sëmundjes së tij dhe mezi pret që t’u kthehet detyrave të tij sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Mbreti pret që të kthehet në detyrën e plotë publike sa më shpejt të jetë e mundur. Ai do t’i shtyjë angazhimet e tij publike dhe pritet që anëtarët e tjerë të familjes mbretërore të ndihmojnë për ta përkrahur gjatë trajtimit të tij”, njoftoi Pallati Buckingham.
Pasi Pallati Mbretëror bëri të ditur lajmin se Mbreti Charles III është diagnostikuar me kancer, BBC News ka mësuar se Princ Harry do të udhëtojë nga Kalifornia për në Mbretërinë e Bashkuar për të vizituar babain e tij.
Më tej, burime për median prestigjioze kanë bërë të ditur se Princi Harry ka komunikuar me Mbretin Charles III për të mësuar si paraqitet gjendja e tij shëndetësore.