Në qeverisjen e Putinit duket se ka pasur një pikë kthese. Po cilat janë pasojat për Ukrainën dhe efektet e rebelimit të Prigozhinit?
“Mbreti është lakuriq” – kështu mendojnë shumica e analistëve ndërkombëtarë dhe njohësve të situatës në Rusi. Por është e vështirë të vlerësohen me saktësi pasojat e rebelimit të ushtrisë private të Jevgenij Prigozhinit. Fakt është, sipas analistëve, që pushteti i Putinit është dobësuar pas kësaj revolte.
“Gjëja më e rëndësishme që mund të përcaktohet është se Putini ka humbur qartë autoritetin e tij,” vlerëson për DW eksperti gjerman për Rusinë Fabian Burkhard. Megjithatë, kush fitoi në strukturën e pushtetit ruse do të përcaktohet më vonë. “Shumë aktorë në Rusi janë befasuar nga kjo situatë”, kujton Burkhard, i cili zakonisht kryen kërkime në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.
Fillimi i fundit të Putinit?
“Për mua, ky është fillimi i kolapsit të sistemit Putin”, thotë Irina Sherbakova, bashkëthemeluese e organizatës për të drejtat e njeriut Memorial, e cila tani është e ndaluar në Rusi, në një intervistë për radion Deutschlandfunk.
Timothy Snyder, një historian dhe profesor amerikan nga Universiteti Amerikan në Yale (Yale), tregon në analizën e parë: “Nuk kishte njeri në asnjë qytet rus që spontanisht të shprehte mbështetje personale për Putinin apo edhe të rrezikonte personalisht regjimin e tij. ”
Marshimi i Prigozhin në Moskë i tregoi popullit të Rusisë dhe botës “se një grup i vogël ushtarësh” mund të arrinte në Moskë relativisht lehtë, përshkruan Snyder humbjen e kontrollit të Putinit. “Ky nuk ishte rasti përpara vendosjes së forcave të armatosura ruse në Ukrainë”.
Putinit i mungojnë trupat në vend
Sipas kësaj logjike, me agresionin e tij të paligjshëm në Ukrainë, Putini hoqi pushtetin e pakufizuar në Rusi, sepse baza e tij ushtarake e pushtetit u zhduk. Por a janë realisht ngjarjet e fundit në Rusi një “pikë kulmore” politike për Putinin, pra fillimi i fundit të sundimit të tij?
Të paktën kështu beson Sherbakova, e cila jeton në mërgim në Berlin. Por as ajo nuk e di “edhe sa do të zgjasë”.
Për Timothy Snyder, ajo që ai e sheh si “apati” në Rusi “sugjeron që shumica e rusëve tani thjesht supozojnë se janë të sunduar nga gangsteri që ka më së shumti armë. Ata po bëjnë jetën e tyre të përditshme – kushdo qoftë ai gangster.” Megjithatë, historiani i Yale është i bindur: “Edhe nëse e fusin në qoshe, Putini do ta shpëtojë veten”.
“Luftërat përfundojnë me presion të brendshëm ndaj sulmuesit”
Kjo tërheq vëmendjen te luftimet në Ukrainë dhe shtrohet pyetja: A mundet Putini ta përshkallëzojë përsëri luftën atje, për të konsoliduar bazën e tij të pushtetit në Kremlin? Apo rebelimi i Wagnerit do të jetë dikur edhe fillimi i fundit të luftës?
Luftërat në përgjithësi përfundojnë “kur ndihet presioni brenda sistemit politik,” thotë Snyder. Kur dihet fakti se më shumë se 50 vende të udhëhequra nga SHBA-të e mbështesin Ukrainën, atëherë: “Ata që duan që kjo luftë të përfundojë duhet të ndihmojnë ukrainasit ta bëjnë këtë presion”, mendon ai.
Për momentin, është e paqartë nëse ushtria ukrainase në front mund të përfitojë nga ngjarjet në Rusi. Para së gjithash, a e dobësuan vërtet efektivitetin luftarak të forcave ruse këto ngjarje?
Eksperti gjerman i sigurisë, Niko Lange tha për DW se është e vështirë të vlerësohet se çfarë dëgjuan ushtarët rusë në Ukrainë për kryengritjen. “Atyre u janë hequr celularët dhe janë shumë të shkëputur nga realiteti”, thotë eksperti për Ukrainën dhe Rusinë, i cili punon edhe për Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Shqetësimet e komandantëve rusë në Ukrainë
Lange vlerëson se mes komandantëve rusë është shtuar pasiguria. Për më tepër, në front do të mungojnë trupat e Prigozhinit. Aktualisht, nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me 25.000 ushtarët e Wagnerit.
Njësitet e Wagnerit kanë pushtuar komandën jugore të ushtrisë ruse në Rostov. Ky metropol është një nga pikat më të rëndësishme për furnizimin e forcave të armatosura ruse në të ashtuquajturin korridor tokësor midis Rusisë dhe Krimesë, i cili është pushtuar më parë nga ushtria e Putinit. Pika tjetër e rëndësishme është Ura e Krimesë.
Ndërprerja e këtyre dy rrugëve të furnizimit është një nga objektivat ushtarake të ushtrisë ukrainase në kundërsulmin që ka filluar. Sepse, pa furnizime me municion dhe karburant, trupat ruse do të dështojnë.
Mosmarrëveshjet midis Prigozhinit dhe ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu po zgjasin me muaj. Bosi i Wagnerit ka akuzuar vazhdimisht ushtrinë ruse se nuk u siguronte pajisje dhe municione të mjaftueshme njerëzve të tij as në kohën e luftës për qytetin Bahmut. Ndërsa pushtimi i komandës jugore ruse në Rostov, e ndihmoi Prigozhinin të arrinte marrëveshjen më të mirë të mundshme me Kremlinin për veten e tij./DW