“Mbreti” shkurorëzohet! Kështu mund të konsiderohet ngjarja e këtij viti në Suedi, aty ku duket se po përpiqen të lënë pas krahëve epokën “Ibrahimoviç”, e këtë e treguan më së miri duke eliminuar Italinë në “play off”-in për “Rusi 2018”.
Për herë të parë pas 10 vitesh, Zlatan nuk është konsideruar si futbollisti më i mirë i kombëtares skandinave. Tashmë trofeu i “Topit të Artë” suedez i kalon Andreas Granqvist, kapitenit të skandinavëve. “Jam jashtëzakonisht krenar për këtë arritje”, është mjaftuar të thotë mbrojtësi suedez.
Nga viti 2007 e deri më sot, Ibrahimoviç nuk ka pasur rivalë dhe ka rrëmbyer gjithmonë çmimin vlerësues të futbollistit më të mirë në Suedi. Por koha duket se ecën përpara, ndërsa Ibra u desh të mungonte për një kohë të gjatë si pasojë e një dëmtimi të rëndë, që prej muajit prill.
Ibra, gjithsesi, u rikthye fundjavën e kaluar, kur luajti për Manchester United për plot 15 minuta kundër Neëcastle. Mourinho dhe “djajtë e kuq” e pritën, ndërsa Suedia jo. Edhe pse kishte një sipërmarrje tejet të vështirë gjatë këtyre muajve, atë të sigurimit të pjesëmarrjes në Botërorin rus.
Për Granqvist nuk parashikohet një dominim si ai i Ibrahimoviçit, kjo për faktin se edhe mbrojtësi është në moshën 33-vjeçare, megjithatë ai e konsideron si një vlerësim unik për karrierën e tij.
“Jam më shumë sesa krenar që jam këtu për të marrë këtë trofe. Ky do të thotë shumë për mua. Dua të falënderoj të gjithë ekipet ku unë kam luajtur, që më kanë bërë ky lojtar që jam sot”, është shprehur futbollisti që mposhti në garën për këtë vlerësim lojtarin pretendent Forsberg, i mbiquajtur edhe si pasuesi i “Ibracadabrës”.