752 pes – Romulus feston triumfin e parë romak në betejën me mbretin e Caeninenses pas përdhunimit të grave Sabine. Në historinë e hershme të Romës, mbreti gjysmë-legjendar i romakëve, Romulus – shqetësuar se Roma, qyteti i sapo-themeluar, mund të mbetej pa trashëgimtarë – filloi të kërkonte gra si bashkëshorte për qytetarët e tij; ai dërgoi delegacione në rajone të ndryshme për rreth, por ata u refuzuan. Pas kësaj, Romulus organizoi një festival dhe ftoi të gjithë fqinjët e Romës. Në festë shkuan edhe qytetarë nga Caenina, së bashku me shumë banorë të tjerë, përfshi Sabinët. Gjatë festimeve, Romuli u dha shenjë burrave romakë, të cilët menjëherë rrëmbyen vetëm femrat e pamartuara, kryesisht nga fisi Sabin, që ndodheshin në festime. Kjo ngjarje njihet si “Përdhunimi i Grave Sabine”. Mbreti i Caonëve, i pranishëm, i zemëruar nga ajo që ndodhi, u vu në krye të një ushtrie, dhe sulmoi territoret romake. Romulus me ushtrinë e tij i doli përpara, u ndesh, shpartalloi ushtrinë, dhe vrau mbretin. Pastaj, Romulus sulmoi Kaoninë, tashmë pa mbrojte, dhe e mori atë. Romuli u kthye në Romë, dhe shpalli 1 marsin si ditën e triumfit të parë romak. “Të parët tanë ishin të egër”, thotë filozofi amerikan Henry David Thoreau (1817 – 1862), “dhe legjenda se Romuli e Remi u ushqyen me gji nga ujkonja, nuk është pakuptim; Themeluesit e çdo Perandorie janë rritur me ushqim dhe energji nga burime të ngjashme të egra; Më pas, bijtë e Perandorisë u pushtuan ose u zhvendosën nga bijtë e fiseve barbare që dolën nga pyjet.”
86 pes – Lucius Cornelius Sulla, në krye të një ushtrie të Republikës Romake, hyri Athinë, duke rrëzuar tiranin Aristion. Gjatë rrethimit të gjatë, brenda qytetit, popullsia mbeti pa ushqime dhe njerëzit, nga nevoja, u detyruan të hanin lëkurë këpucësh dhe bar. Një delegacion nga Athina u dërgua për të biseduar me Sullan rreth lavdisë së qytetit të tyre të lashtë i cili nuk e meritonte një trajtim të tillë. Por Sulla nuk e pranoi delegacionin duke thënë: “Unë u dërgova nga Roma në Athinë për të gjunjëzuar rebelët dhe jo për të marrë mësime prej tyre”. Sulla ishte gjeneral dhe burrë-shteti. Në burimet më të vjetra, emri i tij gjenden edhe si Sylla – helenizim – si Sylva për Silva në latinishten klasike, çka përforcohet edhe nga fakti se dy burimet kryesore Plutarku dhe Apiani, që shkruajtën greqisht, e quajnë atë Sylla (lnd. 138 – vdq. 78 pes).
1780 – Pensilvenia bëhet shteti i parë amerikan që heq skllavërinë (vetëm për ata që lindnin pas kësaj dite).
1854 – Psikologu gjerman Friedrich Eduard Beneke zhduket; eshtrat e tij gjenden dy vjet më vonë në një kanal afër Charlottenburg. Mendohet se u mbyt vetë ndërkohë që ndodhej në gjendje depresive. Beneke ishte ndaluar të jepte leksione në universitete në Berlin (për arsye etike); idetë e tij kundërshtonin mendimet filozofike të Kantit dhe Hegelit, ky i fundit gëzonte simpatinë e autoriteteve prusiane.
1941 – Trupat gjermane pushtojnë Bullgarinë; po atë ditë, Bullgaria bashkohet me fuqitë e boshtit (Gjermani – Itali – Japoni) dhe u shpall luftë aleatëve.
1945 – Presidenti amerikan Ruzevelt njofton suksesin e Konferencës së Jaltës me udhëheqësin sovjetik Stalin dhe kryeministrin britanik Çurçhill.
1946 – Shtetëzime – Qeveria britanike merr kontrollin e Bankës së Anglisë, bankë private që nga krijimin i saj më 1694 nga skocezi William Paterson: “Banka mbahet nga dobia e interesit mbi të gjitha paratë që krijon nga hiçi”. Ndërsa presidenti Woodrow Wilson do të shprehej kështu menjëherë pas nëshkrimit të dokumentit për krijimin e Rezervës Federale (1913): “Jam i pakënaqur; padashur kam shkatërruar vendin tim. Një vend i madh industrial varet tani nga sistemi i tij i kreditit”.
1953 – Josef Stalin pëson një goditje në tru dhe bie në koma. Ai vdes 4 ditë më vonë. Një prej diktatorëve më të fuqishëm dhe vdekjeprurës në histori, Stalini ishte sundimtar i Bashkimit Sovjetik për një çerek shekulli. Regjimi i tij i terrorit shkaktoi vdekjen dhe vuajtjet e dhjetra miliona njerëzve, por ai gjithashtu drejtoi makinerinë e luftës që luajti rol kyç në mposhtjen e nazizmit.
1954 – Katër nacionalistë puerto-rikanë hapin zjarr në kongresin amerikan, duke plagosur katër anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.
1961 – Presidenti Kennedy nënshkruan urdhrin ekzekutiv për krijimin e Korpusit vullnetar të Paqes. Të nesërmen presidenti e shpalli vendimin në televizion; dhe më 21 shtator 1961, kongresi miraton Aktin e Korpusit të Paqes (për të nxitur paqen dhe miqësinë mes vendeve dhe popujve). Midis viteve 1961 – 2013, mbi 210 mijë amerikanë iu bashkuan Korpusit të Paqes dhe shërbyen në 139 vende.
1977 – Banka e Amerikës miraton emrin VISA për kartat e kreditit. Fjala Visa u zgjodh për thjeshtësinë e saj – e njohur prej kohësh me kuptim universal “vërtetim”.
1978 – Arkivoli me trupin e Çarlie Çaplinit (1889-1977) vidhet nga një varrezë në fshatin zviceran Corsier-sur-Vevey, në kodrat mbi liqenin e Gjenevës, pranë Lozanës. Pas një hetimi pesë-javor, policia zvicerane arrestoi dy mekanikë automjetesh – Roman Wardas nga Polonia, dhe Gantscho Ganev nga Bullgaria (të dy refugjatë politikë) – që e kishin ri-varrosur trupin në një fushë rreth 2 km nga shtëpia e familjes Chaplin në Corsier. Në dhjetor, Wardas dhe Ganev u dënuan për grabitje të rëndë. Ata thane se e vodhën trupin e Çaplinit në përpjekje për të zgjidhur vështirësitë e tyre financiare. Wardas, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa pohoi se ishte frymëzuar nga një krim i ngjashëm që kishte lexuar në një gazetë italiane; Ganev dënua me 18 muaj burgim. Sa për Çaplinin, familja e rivarrosi trupin e tij në një varr prej betoni për të parandaluar përpjekjet për vjedhje në të ardhmen.