Përfundoi si një përrallë me mbretër dhe princesha, vetëm se mbretëria nuk është pjesë e fantazisë, por Belgjika europiane, dhe familja mbretërore është ajo e dinastisë Saxe- Cobourg, një nga më të njohurat në Europë.
Historia e Delphine Boel, tashmë princesha Delphine Saxe-Couburg, emocionoi opinionin publik belg dhe europian, kur më 1 tetor gjykata në Bruksel i dha të drejtë pas një pritje gjysmë shekullore, duke e njohur si fëmija legjitime e ish-mbretit Albert, dhe motra e mbretit aktual Philippe.
Po ndërkohë edhe pas vendimit të gjykatës Alberti nuk pranon të takojë të bijën e lindur nga një lidhje jashtëmartesore në 1968, Mbreti Philippe bëri gjestin e madh jo vetëm të takojë motrën, por ta pranojë tërësisht si pjesë e familjes.
Sipas deklaratës për shtyp të pallatit mbretëror, dyshja foli përzemërsisht për historinë reciproke, duke nënvizuar të përbashkëtat, dhe duke hapur rrugën për një hyrje jo vetëm zyrtare, por edhe efektive të Delphine në familjen mbretërore.