Këta oficerë janë pjesë e Njësisë Speciale Policore e quajtur “Joint Shield”, task forca amerikano -shqiptare që gjatë operacionit “Crystal Eagle” dërgoi në pranga 22 persona.
E pagëzuar si, ”Mburoja e Përbashkët” kjo njësi elite investigative bën hetime të përbashkëta më Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) për të gjurmuar krime që prekin të dy shtetet dhe që kryen në fushën e kontrabandës transnacionale të trafikut të njerëzve, kontrabandimit të tyre apo mashtrimit me pasaporta dhe viza dhe krimet terroriste në udhëtim.
Një shtetase e quajtur Alba 23 vjeçe tentoi pesë herë të bashkohej me të fejuarin që jeton në Kanada. Ajo u kap më 16 shkurt 2019 në Marok nën emrin Maria Gonzales pasi i kishte paguar grupit shqiptar me qendër në Tiranë rreth 8 mijë dollarë. Ishte zbulimi i saj në Marok që aktivizoi Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në këtë shtet i cili ia përcolli informacionin DSS në ambasadën amerikane në Tiranë. Edhe pse kishte dështuar në përpjekjet për tu larguar nga Shqipëria, nga mesi i vitit 2019, vajza e re mbërriti në Montreal si shtetase sllovene.
Hetimi i Njësisë “Mburoja e Përbashkët”, e përbërë nga oficerë të policisë shqiptare dhe amerikane nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë zbuloi rrjetin që hapi laborator të prodhimit të pasaportave në Shqipëri por edhe në Kosovë. Aktualisht tha një burim policor, hetimet vazhdojnë ende, pasi është konstatuar që shume shtetas shqiptarë që largohen në rrugë të paligjshme prezantohen me pasaporta sllovake dhe sllovene, një mënyrë e re emigrimi dhe në këtë pikë kërkimet janë fokusuar edhe në disa vende të tjera në Evropë me ndihmë të shërbimeve të tjera policore si ato të Spanjës dhe Italisë. Burimi pranë policisë shqiptare shpjegon se subjektet e arrestuar mes tyre edhe babai i ish zëvendës ministres së arsimit i quajtur Eduart Haxhiu, shfaqen në përgjime telefonike dhe ambjentale teksa sigurojnë dokumenta false si dhe komunikojnë me njëri-tjetrin për përfshirjen e agjensive të udhëtimit.
Ne një rast ata flasin në mënyrë të koduar për dërgimin e emigrantit tek “Mbretëresha” qe nënkupton realizimin e kontrabandimit drejt Mbretërisë së Bashkuar. Bisedat dhe takimet zhvillohen kryesisht mes “Shefes së Madhe”, Bukurie Ahmetaj, Fatmir Qeman, ndryshe Elvis Qema një shtetas me rekorde kriminale dhe Blerim Coke.
Bëhet fjalë për 209 flete përgjime ende të pa-zbardhura ku përfshihen edhe momentet kur Fatmir Qema teksa dyshohej se po organizonte trafik qeniesh njerëzore në Korçe, ai u dënua me kusht nën sugjerimin e Prokurorit në Korçë, vetëm për akuzën e “kalim i paligjshëm i kufirit”.
Dënimi i tij u dha në muajin e parë të 2020, siç e tregon edhe vendimi që Top Channel ka siguruar, gjatë kohës që ai po përgjohej nga Njësia Speciale policore shqiptaro-amerikane Policia e Shtetit-DSS dhe që më pas e çoi në pranga duke ja dorëzuar SPAK. /TCH