Policia e kryeqytetit ka arrestuar sot një të ri që shpërndante ekstazi afër gjimnazeve të Tiranës.
Gjatë kontrollit në banesën e Erind Krakullit, policia gjeti gjashtëdhjetë pilula të dyshuara si lëndë psikotrope (ekstazi) si dhe fishekë luftarak.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë në bazë informacioneve të marra në rrugë operative që dispononte Seksioni për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Sipas tyre 30-vjeçari shiste lëndë psikotrope të llojeve të ndryshme, por kryesisht “Ekstazi, MDMA”, me klientelë pranë shkollave të mesme në qytetin e Tiranës.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 60 (gjashtëdhjetë) pilula të dyshuara si lëndë psikotrope (ekstazi)
- 1 (një) krehër pistolete model 54
- 4 (katër) fishekë luftarake model 54
- 1(një) aparat celular i markës “Iphone 5”
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.