Qeveria ka miratuar gjatë mbledhjes së sotme reduktimin e zyrave të gjendjes civile, të cilat do të jenë vetëm 150 në të gjithë vendin.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se për këtë arsye të gjitha shërbimet e qeverisë që ofroheshin edhe online, tashmë do të jenë vetëm online.
Çuçi tha se nisur nga ky vendim të gjitha institucionet e administratës janë të detyruara t’i sigurojnë vetë dokumentet e gjendjes civile për një shërbim që i jep një qytetari.
“Do ketë vetëm 150 sportele në gjithë Shqipërinë për të marrë vetëm ato shërbime për të cilat duhet prezenca fizike e qytetarit, për të tjerat janë 8 shërbime që do të merren vetëm online. Do shkëputet kontakti i qytetarit me sportelet fizike”, tha Çuçi.
“Nëse një qytetar do të marri një shërbim nga Ministria e Arsimit dhe për këtë do i duhet një certifikatë si dokument plotësues, nuk do të jetë më qytetari që do ta sigurojë këtë, do të jetë vetë institucioni që do ta sigurojë këtë. Vetëm nga Ministria e Brendshme janë rreth 90 shërbime që prej datës 1 Maj do të ofrohen vetëm online”, u shpreh ministri Çuçi.