Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur të mërkurën Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin për t’i njoftuar zyrtarisht për përfundimin e hetimeve për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Atyre do t’u vihen në dispozicion të gjitha aktet përfundimtare të hetimit.
Nuk dihet nëse kryedemokrati do të jetë i pranishëm në ambientet e SPAK apo do të përfaqësohet vetëm nga avokati i tij.
Edhe Argita Berisha, në konferencën për shtyp, konfirmoi që Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur në SPAK për firmosjen e mbylljes së hetimeve.
Malltezi pohoi se nga diskutimet paraprake me avokatët u është sugjeruar që nuk është e nevojshme për të shkuar për të firmosur.
Ajo shtoi se mund të ketë edhe vendim tjetër deri të mërkurën, duke lënë të hapur mundësinë që Berisha dhe Malltezi mund të paraqiten në SPAK.
Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash. Si Berisha dhe Malltezi ndodhen në arrest shtëpie.
Ndërsa i pranishëm këtë të hënë në SPAK ishte biznesmeni Fatmir Bektashi, i akuzuar po ashtu për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ai është njohur me përfundimin e hetimit ku i janë përcjellë edhe aktet përfundimtare të investigimit.
Për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur edhe Xhimi Begeja dhe Andia Pustina, të dy për pastrim parash.