Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur fazën e hetimeve për grupin “Habilaj”, në të cilën janë të përfshirë 9 të pandehur: Mojsi Habilaj, Florjan Habilaj, Armando Kocerri, Fatmir Minaj, Nezar Seiti, Sabaudin Çela, Tigrens Mezuaraj, Maridjan Sulaj dhe Armando Sulaj.
Në dosjen që shkon në gjykatë nuk është përfshirë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili dyshohej se kishte krijuar lehtësira për grupin e Habilajve për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit drejt Italisë.
Megjithatë, zoti Tahiri do të hetohet më vete për falsifikim të dokumenteve dhe patentave.
Prokuroria ka nisur dy letër porosi të reja për Saimir Tahirin, në Mal të Zi dhe Itali, ndërsa janë kërkuar gjithashtu materialet e dosjes në Katania.
Do të verifikohet gjithashtu edhe një udhëtim i vitit 2014 i një prej familjarëve të Tahirit me Moisi Habilajn.
Sipas të gjitha gjasave hetimi nuk do të mbyllet në 19 janar, por prokurorët do të kërkojnë një afat të ri. Dy ditë më parë, prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, kanë udhetuar drejt Italisë për të bërë verifikime.