Kristjan Cenaj i arrestuar një vit më parë për vrasjen dhe zhdukjen e 16-vjeçarit, Maringlen Gjonaj në Kurbin, do të përballet në gjykatë me akuzën e “Vjedhjes me pasojë vdekjen”.
Pas disa seancash gjyqësore paraprake, dosja penale me të pandehur të 31-vjeçarin nga Mamurrasi ka kaluar për gjykim themeli në Gjykatën e Lezhës.
Vetë i akuzuari, Kristjan Cenaj ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen e rëndë, por sipas dosjes hetimore të prokurorisë është arritur të provohet se 31-vjeçari e ka vrarë adoleshentin për t’i marrë një orë “Rolex” dhe një varëse të cilat viktima i kishte me vete ditën e ngjarjes.
Cenaj u ndalua në aeroportin e Rinasit në momentin që po futej në Shqipëri për shkak të urdhër-ndalimit të lëshuar më herët.
Eshtrat e adoleshentit 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, u gjetën në muajin Prill të vitit 2022 të groposura në një zonë me ferra dhe shkurre në zonën e Fushë-Kuqes në Kurbin, pas 7 vitesh nga momenti që ishte shpallur i zhdukur.