Nga e hëna e 3 korrikut, asnjë qytetar nuk do duhet që të trokasë më në zyrat e Kadastrës Shtetërore, pasi askush nuk do t’i presë. I gjithë shërbimi do të kalojë online, si një formë për të zhdukur korrupsionin në këtë institucion, që për kryeministrin Edi Rama, fajtor janë të gjithë, nga vetë PS-ja, te deputetë, ministra, kryetar Bashkie dhe çdo njeri që ka pasur sado pak pushtet.
“Ditën e hënë më 3 korrik, Kadastra nuk është më e aksesueshme për publikun, askush nuk mund të bëjë asgjë në Kadastër, sepse askush nuk do mundet dot që t’ju përgjigjet. Asnjë nga kushërinjtë apo miqtë e miqve në Kadastër, nuk do ju përgjigjet, se nuk do ketë gjë në dorë, Kadastra do jetë një makineri digjitale dhe punonjësit aty brenda, që një pjesë kanë kërkuar të largohen, se nuk kanë ca bëjnë më, nuk e devijojnë më në asnjë drejtim sipas dëshirës, nuk ka më zgjidh ti se kujt do i shërbesh”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri si shembull për të treguar gjendjen në të cilën ndodhet sot ky institucion, Kadastrën në Vlorë, ku për një periudhë të shkurtër, ka ndryshuar më shumë se 9 drejtorë. Qëllimi, tha kryeministri Edi Rama, është të shkëputet zinxhiri mes zyrtarit ose xhelatit siç e quajti ai, dhe qytetarit hallexhi. Tashmë i gjithë shërbimi do bëhet me anë të një kompjuteri, ky punonjësi nuk do të dijë se cilin qytetar ka përballë. Në këtë kuadër, Rama njoftoi një praktikë të re të punës, ku nga 3 korriku e tutje, një punonjës i një qyteti do të merret me pronat e një qyteti tjetër.
“Ata që i rrinë rrotull Kadastrës së Vlorës është ikni, se nuk ka më Kadastër për ju, askush nuk ju ndihmon më, se aty do shfaqet Saranda, Durrësi, Tropoja, por nuk do të shfaqet më Vlora”, tha Rama.
Për të vijuar në vazhdën e reformimit të këtij institucioni, Rama premtoi që do të ketë një rritje rroge të konsiderueshme për të gjithë punonjësit, në mënyrë që të jenë në lartësinë e duhur.
“Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe drejtorja e ka shumë të qartë që punonjësit duhet të jetë bankier, jo banakier, nuk ka më se ky na ka dhënë kaq vota, se pa këtë nuk fitonin, sepse nuk funksionon. Rritja e pagës së Kadastrës do të jetë shumë e konsiderueshme sepse duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët. U bëj atyre që janë profesionistë në ato profesione, të aplikojë sepse realisht janë të domosdoshëm”, përfundoi Rama.
Ky njoftim erdhi në 100-ditëshin e Dallëndyshe Bicit në krye të Kadastrës, që zëvendësoi në këtë post Artan Lamen.